Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tri vjet e katër muaj burgim të dyshuarin E.K për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje”.
Ai është dënuar edhe me gjobë prej 800 eurosh ndërsa sipas njoftimit të gjykatës i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 02 korrik e vitit të kaluar.
“Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.Gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./teve1.info/
