Lajme

Deputetët e akuzojnë Sveçlën për manipulim – Tenderët po fshihen për të abuzuar buxhetin

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj dhe Hisen Berisha, kanë kërkuar që Prokuroria t’i fillojë urgjentisht hetimet për tenderin 15 milionë eurosh të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas tyre, deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se “nuk mund ta bëj publik tenderin 15 milionë eurosh, shkaku i Rusisë e Serbisë“, është e pakuptimtë dhe ka tendencë manipuluese.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se institucionet e sigurisë e kanë të rregulluar çështjen e kontraktimit të pajisjeve logjistike, armatimin dhe shërbimeve me një rregullore të veçantë të Qeverisë, e cila lejon edhe kontratat e klasifikuara.

Mirëpo, Qalaj ka thënë se nëse deklarata e ministrit ka të bëjë me një kontratë që nuk specifikohet si e klasifikuar, Prokuroria e Shtetit duhet të reagojë urgjentisht.

“Janë deklarata të pamatura që nuk kanë fare kuptim. Institucionet e sigurisë e kanë të rregulluar çështjen e kontraktimit të pajisjeve logjistike, armatimit dhe shërbimeve me një rregullore të veçantë të Qeverisë, e cila lejon që të bëhen kontrata të klasifikuara. Mirëpo, ato duhet të jenë vetëm kur të kemi të bëjmë me blerjen e armëve, pajisjeve ushtarake dhe shërbimet të cilat mund të mbahen konfidenciale”.

“Kjo nuk do të thotë që për kontrata të ndryshme të cilat janë të ushqimit, të pastrimit, janë çështje që duhet të diskutohen në mënyrë të hapur dhe është e kundërligjshme që të veprohet ndryshe. Prandaj, nëse deklarata e ministrit ka të bëjë me kontratat të cilat nuk janë të specifikuara si të klasifikuara, duhet të reagojë urgjentisht Prokuroria e Shtetit dhe të merret ndaj kujtdo që është marrë me çështjen e kontraktimit”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, tenderimet për ushqim të Policisë, AKI-së dhe FSK-së duhet të jenë tenderime të hapura.

“Për institucionet e sigurisë, është një rregullore e cila përjashton një nen e cila ka të bëjë me tenderimin e hapur, mirëpo ka të bëjë vetëm pajisjet, armatimin dhe disa shërbime që janë shumë specifike, qoftë për Policinë, AKI-në apo për ushtrinë. Çështjet tjera, gjithsesi duhet të jetë tenderim i hapur. Edhe po të ishin pesë euro, duhet të trajtohen sipas ligjit. Për mua nuk është me rëndësi shuma por mënyra se si e trajton Ministria e Brendshme dhe e Mbrojtjes. Nuk mund ta kuptoj çështjen e tenderimit për ushqim, për pastrim, veshje, ato gjëra duhet të blihen me tenderim të hapur dhe çdo gjë tjetër është e papranueshme”, shtoi ai.

Ai ka thënë se “kjo është qeveri njëburimor” e cila arsyeton qindra projekte me kontrata njëburimore, të negociuara mes dy personave, e kjo sipas tij, është e papranueshme dhe e dëmshme.

“Kjo është qeveri njëburimore, kur një qeveri arsyeton veprime të tilla me qindra projekte, me kontrata një burimore të negociuara mes dy personave, është e papranueshme dhe e dëmshme. Është hapur dyshime për keqpërdorime të vjetra, nëse kemi të bëjmë me afro 300 milionë të buxhetit të Kosovës, kontrata të negociuara njëburimore mendoj, kjo duhet të jetë objekt serioz i Prokurorisë së Shtetit”, theksoi Qalaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë për eo se ky tenderim është abuzim dhe keqpërdorim i buxhetit të shtetit. Sipas tij, “e tërë bota e dinë se çka blejmë ne” dhe deklarata e Sveçles është spekulim për të abuzuar me buxhet.

“Abuzim, abuzim, abuzim, keqpërdorim i buxhetit, vjedhje në paradë! Kontratat konfidenciale po e shoh që në opinion po i keqkuptoni dhe po i interpretoni në mënyrë të gabuar, kontratat nënkuptojnë përjashtim nga neni i tretë i Ligjit të prokurimit. Ato janë blerjet sekrete konfidenciale që kanë të bëjnë me sisteme dhe vendbazimin e tyre. E tërë bota e dinë se çka blejmë ne, ky është spekulim për ta abuzuar me buxhet. Sekret mbetet në momentin kur ti sulmon dikë dhe vendi ku ti e sistemon në sisteme të ndryshme. Por, blerjet i bën konfidenciale, auditori nuk ka pse të merret me atë temë, sepse ne kemi vendosur të blejmë këtë lloj armatimi dhe pajisje edhe e marrin nga kompania X, nuk marrin tenderim publik me na ofrua kush çkado. Në bazë të specifikave të pajisjeve të armatimit ne vendosim që cili shtet na ofron ato”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se tenderimet njëburimore janë korruptive, dhe sipas tij, kjo kërkon hetim nga Komisioni Parlamentar dhe nga hetuesit e shtetit.

“Nuk ka nevojë të shkohet në procedura tenderuese të ofertuesve, por kjo bëhet me një operator të një shteti të caktuar me të cilin ne kemi vendosur partneritet strategjik. Kurse, blerje njëburimore, këto janë korruptive në forcë, nuk ka nevojë për blerje me kontrata njëburimore dhe marrëveshje e kontrata emergjente, sepse në forcë gjithçka planifikohet në detaj, çdo detaj edhe sa ndriçim, pastrim dhe sa kosto do të ketë një ushtar. Prandaj, kjo situatë, për të bërë blerje kofidenciale është për të manipuluar. Këto janë abuzime dhe keqpërdorim të buxhetit, kjo do hetim nga Komisioni Parlamentar, nga Komisioni ynë edhe nga hetuesit e shtetit”.

“Me forcë nuk manipulohet dhe aq më tepër me dalë pastaj me spekulu në metropole botërore, siç bëri kryeministri me atë dështaken e diplomacisë dje, më mërgimtarët në Amerikë, që ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes, prej 120 milionëve në 130 milionë janë 2.8 për qind rritje dhe kjo nuk është dyfishim dhe këto nuk mjaftojnë as për paga të rregullta”, theksoi ai.Në fund, deputeti i PDK-së ka potencuar se nuk ka nevojë për asnjë kontratë konfidenciale, përveç në disa raste specifike.

“Ajo tendencë që është për të manipuluar se bëmë kontrata milionëshe dhe është konfidenciale, këto janë manipulime dhe abuzime. Nuk ka nevojë për asnjë kontratë konfidenciale, vetëm për ato që përzgjedh vetë shteti për të blerë pajisje që janë adekuate për misionin që e ke ti si forcë”, përfundoi deputeti.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ditë më parë ka deklaruar se nuk ka dashur t’i bëjë publik tenderët e dikasterit që drejton shkaku i Rusisë dhe i Serbisë.