Lajme

Deputetja e LVV-së: Osmani të shkojë në Kuvend të matet me Konjufcën

Në prag të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, më 5 mars në mesnatë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë zyrtarisht me kandidatin e saj për këtë pozitë – Glauk Konjufca, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Zyrtarizimi i kandidaturës së Konjufcës ka nxitur reagime nga Presidenca. Zyra e Vjosa Osmani ka mohuar se LVV i ka ofruar mbështetje për një mandat të dytë dhe nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.

Ndërkohë, deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se nëse Osmani beson se gëzon më shumë mbështetje parlamentare sesa Konjufca, atëherë mazhoranca është e gatshme t’ia sigurojë nënshkrimet për kandidim.

“Nëse Vjosa Osmani beson se gëzon më shumë mbështetje se Glauk Konjufca, ne jemi të gatshëm t’ia japim nënshkrimet që të kandidojë dhe ta testojë këtë mbështetje. Është Kuvendi ai që vendos dhe aty matet vullneti”, ka shkruar Kryeziu.

Ndërkaq Hollaj kritikoi ashpër LVV-në për mënyrën se si po e trajton procesin e kandidaturës së Osmanit.

Sipas saj, tendenca me e fajësu opozitën për shkuarje në zgjedhje, është turp.

“Nëse dikujt i thoni ‘eja veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e Glauk Konjufca’, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër, në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu”, tha Hollaj.

Të Ngjashme