Stilisti i njohur italian, Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta më 4 shtator në moshën 91-vjeçare, ka lënë udhëzime të qarta në testamentin e tij për të ardhmen e perandorisë së modës që krijoi gjatë pesë dekadave.
Sipas një inspektimi të testamentit të publikuar nga Reuters, trashëgimtarët e Armanit duhet të shesin fillimisht 15 përqind të aksioneve të kompanisë brenda 18 muajsh. Më pas, brenda një periudhe prej tre deri në pesë vitesh, ata duhet të shesin një pjesë shtesë prej 30 deri në 54.9 përqind të aksioneve tek i njëjti blerës.
Dokumenti përcakton se përparësi në blerje do t’i jepet gjigantit francez të modës LVMH, kompanive kozmetike L’Oréal dhe EssilorLuxottica, ose një grupi tjetër të ngjashëm që do të zgjidhet nga fondacioni i krijuar për të ruajtur trashëgiminë e stilistit. Ky fondacion do të udhëhiqet nga partneri i jetës dhe i biznesit të tij, Pantaleo Del’Orco.
Si alternativë, trashëgimtarëve u është ofruar opsioni i një oferte publike fillestare (IPO) në Itali ose në një treg ndërkombëtar të ngjashëm.
Deklaratat e testamentit përbëjnë një kthesë të fortë në krahasim me qëndrimin e vazhdueshëm të Armanit gjatë jetës, i cili refuzonte të hiqte dorë nga kontrolli i kompanisë ose ta listonte atë në bursë.
Armani, i mbiquajtur nga industria si “Mbreti Gjorgje”, mbetet një nga figurat më të mëdha të modës botërore, dhe e ardhmja e markës së tij do të vëzhgohet me interes të madh nga tregjet dhe rivalët.
