Në Gjykatën Speciale nesër do të dëshmojë Fadil Geci, njëri nga vëllezërit Geci.
Geci do të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me komunikatën numër 59, komunikatë kjo që ishte shkruar gjatë luftës kundër Gani Gecit, e për të cilën komunikatë, vëllezërit Geci përgjegjës e bëjnë Hashim Thaçin, i cili gjendet i burgosur dhe i akuzuar në Hagë.
“Fadili do të dalë ballë për ballë me LPK-ucat, alias komunistët e OMLK -es ruse, të shndërruar në LPK dhe më vonë të konvertuar në PDK. Fadil Geci do t’ua dëshmojë trupit gjykues shkakun e komunikates 59 dhe çka e shtyu Polarin për ta shkruar këtë Komunikatë! Sipas Rexhep Selimit ajo u shkrua nga dora e Hashim Haxhi Polarit, komunikatë kjo që si pasojë, na i vranë dy shokët tanë, Besim Dajakun dhe Bekim Kastratin, si dhe na u plagosën dy vëllezër. Me 21.10.2024, do të ulen ballë për ballë, pas një shekulli, demokrati rugovist dhe komunistët rusë, ata që na vranë e na shanë, na quajtën tradhtarë. I inkurajoj avokatët dhe komunistët që ta pyesin çfarëdo që ua merr mendja për dëshmi të argumentuara vëllanë tonë Fadilin”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e lëshuar nga vellezërit Geci lidhur me dëshminë që do ta japë Fadil Geci në Speciale.
E sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike, Faton Mehmeti, dëshmia e Fadil Gecit pritet të jetë një goditje e madhe për Hashim Thaçin.
“Dëshmitar në dëshminë e Gecit mund të jetë edhe vet Rexhep Selimi, i cili publikisht ka deklaruar se Hashim Thaçi e ka shkruar komunikatën numër 59. Andaj, kjo dëshmi e Fadil Gecit pritet të jetë goditje e madhe dhe e rëndë ndaj Thaçit“, shprehet Mehmeti.
Faton Mehmeti
Siç thotë Mehmeti, interesante pritet të jetë edhe sjellja e të akuzuarve, ndërmjet të cilëve gjithnjë sipas Mehmetit, pritet të ketë kontradikta.
“Është me rëndësi të shikohet si do të jetë mbrojtja e Hashimit a do e pranojnë ata se Thaçi qëndron pas saj apo do ta mohojnë. Besoj se s’do ta pranojnë por do mundohen ta hedhin faji tek të tjerët. Brenda vet të burgosurve pritët të ketë kontradikta e si rrjedhojë komunikata në fjalë do të jetë mbi kurrizin e tyre si Guri i Sizifit”, deklaron Mehmeti.
Për fund, Mehmeti e konsideron të turpshme komunikatën 59, komunikatë kjo që u shkrua gjatë luftës kundër Gani Gecit.
“E turpshme se si një komunikatë në kohë luftë është shkruar kundër vëllezërve Geci, të cilë ishin të parët me Adem Jasharin në aksion kundër okupatorit serb“, përfundon analisti Faton Mehmeti.