Lajme

​Dëshmitari i parë në rastin “Thaçi 2”: Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i parë në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Dëshmitari me numrin 7 në këtë çështje gjyqësore, i cili është staf i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e ka nisur dëshminë e tij të premten nën masa mbrojtëse.
Ai në gjykatore tha se kanë pasur disa hetime për pengim të drejtësisë, raporton KosovaPress.

“Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë, unë nuk e dija se sa çështje në fakt do të materializoheshin për pengim të drejtësisë, si përfundim patëm vetëm tre çështje për pengim dhe unë nuk mund të ua specifikoj ju sa burime kemi pasur ne për çështjen 10, 12 apo 11. Edhe të gjitha këto ishin të ndërlidhura me çështjen 06”, ka thënë ai.

Këtë përgjigje ky dëshmitar e ka dhënë gjatë kundërpyetjeve të avokates së Hashim Thaçit, Sophie Menegon. Në fillim të seancës, ajo gjithashtu i tha dëshmitarit se a e ka lexuar dosjen e prokurorisë dhe mbrojtjes dhe nëse ka pasur qasje në dokumentet e kësaj çështje gjyqësore.

Avokatja: Sa dijeni keni për çështjen 12, meqë jeni staf i ZPS-së, a mund të na thoni fillimisht se a e keni lexuar dosjet e prokurorisë dhe mbrojtjes për çështjen e 12-të?

Dëshmitari: Jo.

Avokatja: A mund të na thoni nëse keni qasje në dokumentet e çështjes së 12-të?

Dëshmitari: Po, kam qasje.

Avokatja: Meqë këto dy çështje janë të ndërlidhura a mund të na thoni nëse keni qasje edhe në dokumentet e çështjes së 6-të?

Dëshmitari: Po, kam qasje në të gjitha dokumentet.

Avokatja: A mund të na thoni cilat materiale keni lexuar për tu përgatitur për dëshminë tuaj, përveç deklaratave tuaja?

Dëshmitari: Lexova disa dokumente që lidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve, por nuk më kujtohet diçka konkrete”, u përgjigj dëshmitari 7.

Më pas me kërkesë të avokates Menegon, është vijuar me seancë private.

Tutje, në seancë publike, dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore ka pohuar se dëshmitarët kontaktoheshin rregullisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari pohon se ZPS i kontaktonte rregullisht dëshmitarët.

Avokatja: A është e vërtetë që dëshmitarët e çështjes 6-të kontaktoheshin rregullisht prej ZPS-së që të përditësoheshin në lidhje me ecurinë e çështjes së 6-të?

Dëshmitari: E saktë.

Avokatja: Për shembull ZPS-ja synonte t’i thërriste ata?

Dëshmitari: Po.

Avokatja: Pra, ata janë kontaktuar për tu informuar se kur do të fillonte çështja, gjykimi i ZPS-së, kur pritej?

Dëshmitari: E saktë”, u tha në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë kundërpyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari tha se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë rast.

Dëshmitari: Jam në dijeni që Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS lidhur me ndërhyrjen e pretenduar

Avokatja: A është e saktë që zotëri Mustafa dhe zotëri Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me ndërhyrjen e pretenduar?

Dëshmitari: Po, jam në dijeni.

Avokatja: A ka patur ndonjë dëshmitar tjetër nga çështja e 6-të që është intervistuar në mënyrë formale, zyrtare, të incizuar me zë dhe me video lidhur me pretendimet për ndërhyrje?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet”, u përgjigj ky dëshmitar.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për pengim të drejtësisë, për çka ata janë deklaruar të pafajshëm. Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte./KP/

Të Ngjashme