Lajme

Dëshmitari i ZPS-së: Nuk kam njohuri për çështjen në fjalë

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku ekipet e mbrojtjes filluan pyetjet e tyre për Dëshmitarin 7.

Ky dëshmitar dëshminë e tij nën masa mbrojtëse e kishte nisur më 27 shkurt, në ditën e hapjes së gjykimit.

Pasi Prokuroria përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit, me kundërpyetje ka vijuar mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

Dëshmitari, i cili është pjesë e stafit të Prokurorisë, u pyet nga avokatja për njohuritë që ka lidhur me këtë çështje gjyqësore. Ai deklaroi se nuk ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë rast.

Megjithatë, theksoi se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje, si dhe në dokumentet e rastit të Thaçit për krime lufte.

Pas kësaj, me kërkesë të avokates Menegon, seanca kaloi në pjesë private për publikun.

Të Ngjashme