Lajme

Dëshmon Ylli Pinari: Bëra 5 vite burg, nuk e zgjodhëm ne Gërdecin për demontim

Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO, po dëshmon këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme për procesin gjyqësor që lidhet me dosjen “Gërdeci”. Kjo kompani është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe importon e eksporton mallra të karakterit ushtarak.

Në kohën kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, në krye të këtij institucioni ka qenë shtetasi Ylli Pinari, i cili është shprehur sot se ka qëndruar 5 vite në qeli dhe ka pikëpyetjet e veta për procesin e demontimit të armëve.

“Meico nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimit. Fillimisht kemi pasur komunikime me e-mail. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi. Për këtë çështje kam bërë 5 vite burg dhe kam pikëpyetjet e mia për këtë”, është shprehur Pinari.

Ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore është shprehur në gjyq se kompania e përfshirë në procesin e demontimit të armëve ishte ajo e drejtuar nga shtetasi amerikan, Patrick Henry. Ky i fundit drejtonte kompaninë “SAC” dhe në vitin 2007 u bashkua me kompaninë e Mihal Delijorgjit “AlbaDemil”.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Patrick Henry solli disa makineri demontimi në Gërdec dhe dy specialistë municionesh. Ata janë shprehur në atë kohë kur hetimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme, se në fabrikë kishte mungesë të masave të sigurisë.

Seanca në Gjykatën e Posaçme ka nisur prej orës 09.00 të kësaj të mërkure datë 10 Janar 2024, ku i pranishëm është dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Janë në total 71 dëshmitarë që do të pyeten në gjyqin për Gërdecin, duke përfshirë familjarë të viktimave dhe zyrtarë të shtetit.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo