Të martën në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u takua me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, por nuk pati edhe takim trelateral, pasi Serbia refuzoi.
Në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës u tha se Kosova përmes kryenegociatorit ka pranuar të mbahet takimi trelateral, sipas agjendës së paracaktuar, ku temë e diskutimit ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues.
Gjatë takimit me Lajçakun, Bislimi diskutoi për planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke theksuar angazhimin konstruktiv të Kosovës.
Mirëpo, të gjendur në këtë situatë a duhet një presion më i madh ndaj Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara?
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.
Ai thotë se rritja e presionit ndaj Serbisë është ajo që duhet bërë.
Amir Shabani
“Ajo që duhet bërë është pikërisht kjo, rritja e presionit ndaj Serbisë për ta pranuar marrëveshjen si qasje drejt përparimit në dialog”, u shpreh ai.
Më tej, Shabani thekson që Serbia nuk është vend që të kërkoj kushte në tryezën e negociatave.
Sipas tij, Serbia duhet të pranoj fajin e gjenocidit që ka bërë në Kosovë e Bosnjë.
“Nuk mundet që një shtet destabilizues në rajon dhe me aleat të një vendi që i ka vendosur sanksione gjithë bota perëndimore, siç është Rusia, të kërkojë ende kushte dhe të parashtrojë kërkesa të pabaza në tryezën e negociatave kur dihet qartë se Serbia me çdo kusht duhet pranuar fillimisht fajin, të realizojë dëmshpërblimin ndaj gjenocidit që ka kryer, si në Kosovë po edhe në Bosnje dhe vazhdimisht të monitorohet nga SHBA-ja dhe BE-ja në zbatimin e marrëveshjes”, përfundoi Shabani për “Bota sot”.
Kujtojmë që emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, është lajmëruar në rrjetin social “X” pas dështimit të takimit trepalësh në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak ka shkrepur zhgënjimin e tij që s’kanë arritur të adresojnë çështjet më kryesore në një takim trepalësh gjatë ditës së djeshme në Bruksel.
Ndërkohë, është shprehur i gatshëm që t’i presë palët në Bruksel gjatë javëve në vazhdim.