Lajme

Detaje se si u kap në flagrancë polici që posedonte drogë në Prishtinë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës ka realizuar një operacion të hënën ku ka rezultuar me arrestimin e tre personave, një ndër ta edhe zyrtarë policorë. I dyshuari është kapur në flagrancë nën posedimin e narkotikëve. Nga Inspektorati Policor bën të ditur se tashmë i njëjti është suspenduar nga puna dhe i është caktuar masa e ndalimit 48 orësh.

Për mision kanë parandalimin e veprimtarive ilegale.

Por së fundmi një pjesëtar i Policisë së Kosovës, dyshohet se ka kryer një vepër penale të ndaluar me ligjet e Kosovës.

Zyrtari policor A.R u kap në flagrancë nën posedimin e narkotikëve të hënën në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.

Rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës ku bënë të ditur se pjesë e arrestimeve janë edhe dy persona tjerë, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit 48 orë.

“Gjatë realizimit të planit taktik antidroga e Policisë së Kosovës, e mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH) tek personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet të tyre ka gjetur sasi të substancave narkotike me peshë rreth 370 gramë, një peshore, tri thika dhe para të gatshme (4870) euro. Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prishtinë”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, për rastin kanë folur edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, ku kanë treguar se tashmë i dyshuari është suspenduar nga puna.

“Hetimet për këtë rast kishin filluar më herët nga hetuesit nga  Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotikë të Policisë së Kosovës. Zyrtarit policor tashmë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’. Si pjesë e procedurave administrative i njëjti edhe është suspenduar me rekomandim të IPK-së. Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”, thuhet nga IPK-ja.

E shqetësuese këtë po e sheh ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha i cili tregon se zyrtari tashmë mund të largohet përfundimisht nga ky institucion.

“Varësisht nga lloji dhe lartësia e dënimit këtu pastaj vije në pyetje edhe largimi apo jo nga puna. Gjithashtu varet edhe nga procedura e brendshme disiplinore duke pasur parasysh që edhe në të kaluarën e afërt, Policia ka larguar disa rekrutë kandidatë për të qenë pjesëtarë të Republikës së Kosovës e të cilët kanë rezultuar në testet kualifikuese shëndetësore kanë rezultuar pozitiv për disa substance të caktuara”, tha Hoxha.

Vetëm gjatë periudhës korrik – shtator të këtij viti janë realizuar 25 operacione policore ku janë konfiskuar mijëra kilogramë substancë narkotike.