Gjesti, është arrestuar këtë të mërkurë në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila bëri të ditur se artisti është ndaluar nën dyshimet për posedim të armës pa leje.
Sipas informacioneve të para, arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi” në kryeqytet. Policia ka ndërhyrë pas dyshimeve se i riu mbante armë pa autorizimin përkatës.
Pas ndalimit, Gjesti është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga autoritetet. Në vijim të procedurave, dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është marrë vendimi që ai të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën Mehmet Isahi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në deklaratën e policisë për mediat vendase.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera rreth rastit apo rrethanave në të cilat është gjetur arma e dyshuar. Gjithashtu, nuk dihet ende nëse këngëtari do të përballet me masa të tjera ligjore pas përfundimit të afatit të ndalimit.
Ngjarja ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe të mediave, duke qenë se Gjesti është një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe shpeshherë në qendër të vëmendjes për aktivitetin e tij artistik dhe jetën personale.
