Lajme

Detajet nga atentati në Elbasan: Autori ishte veshur për Halloween, u ndalua nga 5 fëmijë që donin të luanin me të

Atentati me tre të plagosur në një lokal në Elbasan i ngjan një skene të vërtetë filmi. A2 ka mësuar se autori iu afrua vendit ku kishte përgatitur sulmin i kamufluar me xhup të zi, me doreza dhe paruke bjonde dhe maskë halloweeni.

Veshja humoristike e tij ka bërë që të ndiqej për disa minuta nga 5 fëmijë të rastësishëm që e shoqëronin me të qeshura duke e konsideruar si lojë.

Nga verifikimi i videove të kamerave të sigurisë ai ka arritur t’i shmanget të miturve, dhe më pas ka vepruar duke qëlluar me 7 plumba drejt klientëve në verandën e lokalit në lagjen “Banesa”.

Të plagosur mbetën Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç, si dhe kamarieri i lokalit, 19-vjeçari Bjorgi Hoxha. Fatmirësisht, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Por asnjë prej tyre nuk ishte objektivi i atentatit.

Shënjestra e autorit ishte shtetasi F.Sharra që ndodhej në të njëjtin ambient ku u krye sulmi. Autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes por në ndjekje u vu një oficer policie që në atë moment ndodhej jashtë shërbimit ku po qëndronte me dy fëmijët e tij në brendësi të lokalit ku ndodhi ngjarja.

Edhe pse pa armën e shërbimit me vete, efektivi u vu në ndjekje të autorit i cili gjatë largimit hodhi në tokë pistoletën, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor dhe do të shërbejë për të gjetur prova për identifikimin e agresorit.

Nga verifikimet e policisë pas aktit të rëndë autori shihet të ikë me vrap drejt një përroi ku dhe ka humbur gjurmët. Ngjarja e ndodhur në një zonë të konsideruar problematike ngriti dyshime të forta për përplasje mes grupimeve.

Vetë F.Sharra i konsideruar nga policia si objektivi i dyshuar i agresionit mësohet se është nipi i një prej personazheve të njohur të botës së krimit në qytet. Por në marrjen në pyetje F.Sharra ka mohuar të ketë konflikte. Në një postim në rrjetet sociale Kastriot Kila, i njohur si “Ot Kila” ka reaguar duke deklaruar se nipi i tij nuk është objektiv i sulmit dhe se ka qenë aty rastësisht dhe nuk ka të bëjë fare me ngjarjen.

Të Ngjashme