Reperi i njohur amerikan, Sean ‘Diddy’ Combs, pritet të lirohet nga burgu rreth një muaj e gjysmë më herët, ndërsa përpiqet të kundërshtojë dënimin katërvjeçar. Data e re e lirimit është shtyrë nga 4 qershori 2028 në 25 prill 2028, pas përfshirjes së tij në një program rehabilitimi për personat me probleme me drogën.
Zyra e përfaqësuesit të Combs tha se reperi ka marrë pjesë me seriozitet në program dhe është i përkushtuar ndaj zhvillimit personal dhe ndryshimeve pozitive. “Ai po punon për të përmirësuar veten dhe për të ndjekur një rrugë të re,” u shpreh përfaqësuesi.
Kjo nuk është hera e parë që data e lirimit të tij ndryshohet. Combs aktualisht po shërben dënimin në Federal Prison Fort Dix, New Jersey, dhe më parë data e lirimit ishte shtyrë për shkak të shkeljeve të rregullave të burgut, duke përfshirë konsumimin e alkoolit dhe kryerjen e thirrjeve të ndaluara. Përfaqësuesi i tij ka mohuar shkeljet, duke sqaruar se një nga thirrjet ishte e mbrojtur nga sekreti avokat-klient.
Reperi ka bërë apel ndaj dënimit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm, uljen ose anulimin e tij, me argumentin se provat kundër tij nuk janë të mjaftueshme dhe se dënimi shkel të drejtat e tij kushtetuese. Combs ishte arrestuar në shtator 2024 për akuza që përfshinin, trafikim njerëzish për shfrytëzim seksual, mashtrim dhe transport për prostitucion.
