Askush nuk po pretendon se vendimi i Brooklyn Beckham për t’u shkëputur nga familja është marrë sot për nesër. Por çfarë po shihet gjithnjë e më qartë është se sot, ndryshe nga dikur, këto vendime nuk shoqërohen më domosdoshmërisht me turp, ndjenja faji apo heshtje. Gjuha e terapisë dhe grupet në rrjete sociale ua kanë bërë më të lehtë të rinjve të thonë “mjaft”.
Teksa opinioni publik vazhdon të zbërthejë dramën e familjes Beckham, një detaj në dukje banal ka kaluar pa shumë vëmendje: një video me një pulë të pjekur. Nëse në dhjetor ke qenë i zënë me jetën tënde, ndoshta të ka shpëtuar fakti që gjithçka mori tatëpjetën kur Victoria Beckham i bëri “like” videos së djalit të saj në Instagram, ku Brooklyn shfaqej duke gatuar.
Disa u morën me faktin që pula dukej pak e pagatuar. Të tjerë u tallën me ambiciet kulinare të Brooklyn-it. Por për ata që njohin dinamikat moderne të shkëputjes nga familja, problemi ishte krejt tjetër: ai “like” u pa si shkelje kufiri. Në gjuhën e re të kësaj bote, Victoria kishte kaluar nga “asnjë kontakt” në “kontakt minimal”. Dhe në këto rrethana, edhe një gjest i tillë konsiderohet ndërhyrje.
Termat si no contact, low contact apo very low contact nuk janë shpikje të Beckham-ëve. Ato vijnë nga komunitete online ku fëmijë të rritur, të lënduar nga marrëdhëniet me prindërit, mbështesin njëri-tjetrin. Largimi nga familja nuk është risi, por tani po emërtohet dhe po normalizohet kjo përvojë, për t’u hequr njerëzve barrën e fajit për vendime të vështira emocionalisht.
Sigurisht, ka edhe kritikë që thonë se sot këto vendime po merren shumë lehtë, ndonjëherë edhe nxiten nga papjekuria. Në një kohë kur fjalë si narcizëm, abuzim emocional apo gaslighting përdoren pa kursim, prindërit shpesh konsiderohen fajtorë.
Nga ana tjetër janë ata që thonë: “të gjithë gabojmë, mos e dramatizoni”. Edhe David Beckham e artikuloi këtë mendim, më me kujdes, kur tha se “fëmijët kanë të drejtë të gabojnë”. E vërteta është se shumë pak njerëz e ndërpresin kontaktin me familjen pa u menduar gjatë. Dhe po aq njerëz jetojnë me prindër abuzues pa gjetur forcën për t’u larguar.
Mes largimit total dhe durimit pa fund, ekzistojnë edhe rrugë të ndërmjetme. Njëra prej tyre quhet “grey rocking”: të qëndrosh në kontakt, por pa u përfshirë emocionalisht; të dëgjosh, të tundësh kokën dhe të mos reagosh. Një strategji mbijetese për ata që nuk duan – ose nuk munden – të ndërpresin lidhjet plotësisht.
Ndërkohë, edhe prindërit kanë filluar të reagojnë. Në rrjete sociale po shfaqen grupe mbështetjeje për prindër që ndihen të përjashtuar nga jeta e fëmijëve të tyre të rritur. Një prej tyre u krijua nga një grua që nuk u ftua në dasmën e vajzës së saj dhe sot ka dhjetëra mijëra ndjekës. Mesazhi është i qartë: edhe kjo anë e historisë ka dhimbjen e vet.
Për David dhe Victoria Beckham, ndoshta për herë të parë, miti i familjes perfekte është tronditur. Por edhe për ata, tani, ka një grup mbështetjeje që i pret.
