Janari, si gjithmonë, vjen me një ndjesi “restarti”. Pas festave, me teprica në ushqim e alkool, shumë njerëz kërkojnë të rikthejnë ritmin, të lehtësojnë trupin dhe të ndihen më në kontroll. Pikërisht në këtë atmosferë, Gwyneth Paltrow rikthen çdo fillimviti detox-in e saj 5-ditor, tashmë një ritual i njohur në universin Goop.
Ky program, sipas mënyrës si prezantohet, nuk premton mrekulli dhe rezultate të menjëhershme, por synon një stil ushqimi më “të pastër”: shumë përbërës bimorë, ndërsa në menu përfshihen edhe peshku (si merluci apo salmoni) dhe mishi i bardhë.
Ideja kryesore është të ofrojë receta të thjeshta, të shijshme dhe të realizueshme, si një reset që nuk do të jetë ndëshkues, por i menaxhueshëm dhe i orientuar drejt vetëkujdesit.
Si është i ndërtuar plani 5-ditor
Detox-i vjetor i Goop është një plan ushqimor i strukturuar në 5 ditë, me vakte të plota: mëngjes, drekë, darkë dhe snack, si edhe pije tonike të përditshme. Recetat janë krijuar nga kuzhinierët e Goop Kitchen, Kim Floresca dhe Brent Parrino, dhe ndjekin udhëzimet e protokollit Clean të Dr. Alejandro Junger.
Në këtë plan përjashtohen: kafeja, alkooli, bulmeti, gluteni, misri, perimet e familjes solanacee, soja, sheqernat e rafinuara, krustacet, orizi i bardhë dhe vezët. Qëllimi i deklaruar nuk është një dietë me kufizim ekstrem kalorish, por një ushqyerje e pastër, “komode” dhe e menduar si e përkohshme, me idenë që të shërbejë edhe si frymëzim për pjesën tjetër të vitit.
Menuja ditë pas dite
E hënë
Dita nis me një tonik me yuzu dhe xhenxhefil. Për mëngjes, muffin me banane dhe tahini. Snack-u i paradites është Greenscape Smoothie, i përgatitur duke miksuar ananas, kivi, selino, spinaq, xhenxhefil, ujë kokosi dhe fara chia. Në drekë, sallatë me pulë të pjekur, e shërbyer në bukë me fara dhe rozmarinë. Pasdite, chia bowl me vanilje, luleshtrydhe dhe crumble kokosi. Darka: merluc i pjekur në furrë me pure lulelakre dhe salcë me limon e ullinj.
E martë
Toniku i ditës është me uthull molle dhe pluhur kanelle. Mëngjes: porridge me quinoa dhe chia. Snack: arra shqeme me curry dhe lime. Drekë: sallatë sezonale krokante. Pasdite: kek me bajame, limon dhe boronica. Darka: supë pule me curry.
E mërkurë
Rikthehet toniku me yuzu dhe xhenxhefil. Mëngjes: muffin bananeje dhe tahini me gjalpë bajamesh. Snack: chia bowl me vanilje, luleshtrydhe të pjekura dhe crumble kokosi. Drekë: salmon i thjeshtë me perime me gjethe jeshile. Pasdite: Greenscape Smoothie. Darka: sërish merluc në furrë me pure lulelakre dhe salcë me limon e ullinj.
E enjte
Toniku i mëngjesit mbetet ai me uthull molle dhe kanellë. Mëngjes: porridge me quinoa dhe chia. Snack: kek me bajame, limon dhe boronica. Drekë: miks sallate krokante. Pasdite: chia bowl me vanilje, luleshtrydhe dhe crumble kokosi. Darka: supë pule me curry.
E premte
Dita e fundit nis me tonikun me yuzu dhe xhenxhefil. Mëngjes: muffin bananeje dhe tahini me gjalpë bajamesh. Snack: Greenscape Smoothie. Drekë: sallatë me pulë të pjekur në bukë me fara dhe rozmarinë. Pasdite: arra shqeme me curry dhe lime. Darka: salmon me perime sezonale.
Çfarë thotë dietologia
Sipas ekspertëve të Goop, ky detox 5-ditor duhet parë si një ritual riekuibrimi dhe vetëkujdesi, që të ndihmon të ngadalësosh, të hash me më shumë vetëdije dhe ta nisësh vitin me ndjesinë e “rregullit” dhe ushqyerjes së mirë, pa hequr dorë nga shija.
Nga ana tjetër, dietistja Emanuela Russo vlerëson se plani ofron disa elementë pozitivë: recetat përfshijnë ushqime cilësore dhe të larmishme si peshk, perime, fruta, quinoa, fara dhe fruta të thata, të cilat përputhen me parimet e një ushqyerjeje të balancuar. Ajo thekson se vetë fakti që për disa ditë gatuan në shtëpi me ingredientë të freskët është një hap i mirë.
Por ajo nënvizon edhe një pikë të rëndësishme: nga këndvështrimi shkencor, termi “detox” është i papërshtatshëm, sepse trupi ka sisteme shumë efikase për eliminimin e substancave të dëmshme, si mëlçia dhe veshkat. Nuk ka prova që tregojnë se dieta depurative janë të domosdoshme. Plani ndjek një protokoll eliminimi që përjashton shumë ushqime njëkohësisht, gjë që ngre pikëpyetje për mungesë personalizimi dhe rrezik për kufizime të panevojshme.
Sipas saj, më e vlefshme sesa ciklet e shkurtra detox është gradualiteti, varieteti dhe dëgjimi i trupit. Plani mund të shërbejë si frymëzim për një qasje më të shëndetshme në tryezë, por pa rënë në mendësinë “ose gjithçka ose asgjë”. Synimi mbetet ushqyerja me ekuilibër dhe vetëdije, çdo ditë të vitit.


