Lajme

Dhimbja që s’u shua as pas 27 vitesh, kujtohet Masakra e Rezallës

Edhe 5 prilli i këtij viti, e gjeti tek varrezat e dëshmorëve në Rezallë.

Këtu tash e 27 vjet, pushon trupi i Idriz Gashit.

Ky i fundit, ishte në mesin 98 të vrarëve në Masakrën e Rezallës në Skenderaj.

E dhimbja për Feriz Gashin, është e njëjtë edhe pas gati tri dekadash.

90-vjeçari e kujton ditën kur lajmin e dhimbshëm ia dhanë ushtarët e UCK-së.

“Lajmin për vëllanë ma kanë tregu pjesëtarët e UÇK-së. Vinin ndonjëherë në Mitrovicë dhe na kanë thënë që është i zhdukur, jo i vrarë. Shokun që ka qenë me të e kanë gjetë të vrarë, ndërsa këtë nuk kanë mundur ta gjejnë. Se ata ditën nuk kanë guxuar ta kontrollojnë malin. Ai kishte tentuar të ikte dhe ishte larguar pak prej shokut të vet rreth 50 metra”, shprehet ai.

E në këtë masakër, vetëm tre persona arritën të mbijetojnë.

Në mesin e tyre, edhe djali i axhës së Ferizit, tashmë i ndjeri Sadriu.

“Ky Sadria, djali i mixhës, ka qëlluar pikërisht në masakrën që është bërë në Rezallë. Ka qenë shumë njerëz dhe kur kanë filluar të shtënat, secili është munduar të shpëtojë. Ai është rrëzuar dhe ka rënë poshtë trupave. Kufomat mbi të, ai nën to. Kur e ka kuptuar që nuk dëgjohej më asgjë, është ngritur dhe u dal”, tregon Gashi.
E ish-luftëtarët e UCK-së, thonë se masakra erdhi si hakmarrje pas humbjeve që forcat serbe e kishin pësuar disa ditë më parë.
“Para pesë-gjashtë ditëve ka qenë një ofensivë shumë e fortë, ka pas shumë humbje të mëdhaja armiku edhe si pasoj janë hakmerr se armik i lig, armik i poshtër ka qenë. Janë hakmarrë në civil, në gra, fëmij e pleq. Kanë pas humbje të madhe si në teknik”, thotë ish-luftëtari i UÇK-së.

Ani pse kanë kaluar 27 vjet, drejtësia për 98 shqiptarët e vrarë këtu nuk u vendos kurrë.

“Nuk është akuzuar asnjë person për këtë masakër. Ishte ushtri e rregullt dhe gjeneralët që morën pjesë janë përpjekur ta shfarosin këtë popull. Ne ishim ushtarë dhe me na vra se kem pas problem, po me civil ata na kan dhimbt më shumë”, thotë ai.

E pas masakrës, forcat serbe u munduan t’i fshihnin gjurmët e krimit.

Kjo meqë trupat e 44 të vrarëve, u gjetën vetëm disa vite me vonë në një varr masiv në Rudnicë të Rashkës.

Të Ngjashme