Trenat me shpejtësi të lartë po transformojnë mënyrën se si njerëzit udhëtojnë, duke ofruar alternativa më të qëndrueshme ndaj fluturimeve për distanca të mesme.
Që nga planet futuriste të Kinës, Shinkansen i besueshëm i Japonisë, deri te trenat elegantë evropianë, gara për të ndërtuar trenin më të shpejtë lidhet jo vetëm me shpejtësinë, por edhe me inovacionin, raporton HAK Review. Sot, këto trena janë më shumë se një sistem transporti – ata janë një pasqyrë e të ardhmes së udhëtimit efikas, emocionues dhe miqësor ndaj mjedisit. Revista Interesting Engineering ka renditur dhjetë trenat më të shpejtë në botë.
TGV – Francë: 575 km/orë
Edhe pse shpejtësia rekord u arrit në vitin 2007 dhe nuk është thyer më pas, TGV vazhdon të operojë me mbi 300 km/orë, duke mbetur një nga trenat më të njohur në botë.
Seria JR SCMaglev L0 – Japoni: 505 km/orë
Ende jo komercial, ky tren do të bëhet më i shpejti në botë kur hapet Chuo Shinkansen në vitin 2034.
Shanghai Maglev – Kinë: 460 km/orë
Aktualisht linja më e shpejtë tregtare për pasagjerë në botë, duke përdorur teknologjinë gjermane Transrapid.
CR450 Fuxing – Kinë: 450 km/orë
Prototipi i prezantuar në fillim të vitit 2025 synon një shpejtësi komerciale prej 300 km/orë me një kapacitet projektues prej 450 km/orë, duke avancuar ndjeshëm hekurudhat konvencionale kineze.
CR400 Fuxing – Kinë: 350 km/orë
Ky model operon në rrjetin më të madh të trenave me shpejtësi të lartë në botë, duke kombinuar aerodinamikën, sinjalizimin dhe teknologjitë vendase të kontrollit të trenave.
Talgo 350 – Spanjë: 350 km/orë
Dizajn aerodinamik i optimizuar për rrjetin spanjoll, në shërbim që nga viti 2005, prodhuar në bashkëpunim me Bombardier.
Shinkansen E5/H5 – Japoni: 320 km/orë
Me pezullim aktiv dhe karroceri të pjerrët, këto trena ruajnë shpejtësi të larta edhe në kthesa të mëdha, duke siguruar rehati të lartë për pasagjerët.
ICE 3 – Gjermani: 320 km/orë
Motorët e shpërndarë rrisin hapësirën për pasagjerët dhe eliminojnë nevojën për vagonë të dedikuar për motorë.
Eurostar e320 – Mbretëria e Bashkuar/Francë: 320 km/orë
Kalojnë nëpër Tunelin e Kanalit, duke lidhur Londrën, Parisin dhe Brukselin me teknologjinë Siemens Velaro.
Seria KTX – Koreja e Jugut: 305 km/orë
Bazuar në teknologjinë TGV, KTX ofron shpejtësi të lartë dhe efikasitet për udhëtimet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Këta trenat tregojnë se të ardhmen e transportit e formësojnë inovacioni, qëndrueshmëria dhe shpejtësia – duke sjellë një epokë të re udhëtimesh më të shpejta dhe më miqësore për mjedisin.