BBV

DHTIK kërkon ndërhyrje urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji për bizneset

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) shpreh shqetësimin e thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike, e cila po shkakton humbje serioze për qindra biznese në vend, raporton KosovaPress.

Sipas këtij reagimi, përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, gjendja e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm.

“Bizneset po paguajnë shumëfish për energji elektrike, ndërkohë, furnizimi nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm”, thuhet në reagim.

Mw tej thuhet se ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë sjellë pasoja të rënda, përfshirë pamundësi të funksionimit normal të bizneseve, rritje të kostove të prodhimit, humbje të orëve të punës dhe dëme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të DHTIK-së, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset”, thuhet në komunikatë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet.

Po ashtu, DHTIK kërkon nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës që të veprojnë pa vonesë për të dalë nga kjo situatë, e cila rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.