Personat që dëshirojnë të dhurojnë veshkën e tyre përballen me një rrezik më të ulët vdekjeje pas operacionit, se ç’mendohej më parë nga mjekët, njoftuan studiuesit të mërkurën.
Studimi përmblodhi të dhënat e dhurimit të veshkave nga persona të gjallë përgjatë 30 viteve dhe zbuloi se deri në vitin 2022, më pak se 1 në çdo 10,000 dhurues vdiq brenda tre muajve nga bërja e operacionit. Qendrat e transplantimeve kanë përdorur deri më tani të dhëna më të vjetra – duke përmendur rrezikun e 3 vdekjeve për 10,000 dhurues të gjallë – në materialet ku informohen dhuruesit rreth komplikacioneve kirurgjikale që mund të kenë pasoja vdekjeprurëse.
“Dekada e fundit është bërë shumë më e sigurt në sallën e operacionit për dhuruesit e gjallë”, tha Dr. Dorry Segev, kirurg transplantesh në spitalin e Universitetit të Nju Jorkut “Langone Health” dhe bashkautor i studimit të botuar në revistën JAMA.
Teknikat më të reja kirurgjikale janë arsyeja kryesore, tha Dr. Segev, duke bërë thirrje që të përditësohen udhëzimet për të pasqyruar këto përmirësime të sigurisë – dhe ndoshta për të rritur interesimin për dhurimin e gjallë të organeve.
Ai përmend se sa shpesh marrësit e organit janë më të shqetësuar për rreziqet e mundshme për dhuruesit e tyre, sesa vetë dhuruesit e mundshëm.
“Për ta, kjo është edhe më qetësuese, që t’i lejojnë miqtë ose familjarët të dhurojnë për ta”, tha Dr. Segev.
Mijëra njerëz vdesin çdo vit ndërsa janë ende në pritje për një transplantim organesh. Është e mundur që dhuruesit e gjallë të japin një nga dy veshkat e tyre ose një pjesë të mëlçisë, që është organi i vetëm që ripërtërihet.
Me gati 90 mijë persona në Shtetet e Bashkuara në listën e pritjes për njëë veshkë, gjetja e një dhuruesi të gjallë jo vetëm që shkurton pritjen shumëvjeçare – këto organe gjithashtu mbijetojnë më gjatë se ato nga dhuruesit e vdekur.
Megjithatë vitin e kaluar, vetëm 6,290 nga mbi 27,000 transplantimet e veshkave në SHBA u dhuruan nga donatorë të gjallë, niveli më i lartë që nga periudha përpara pandemisë. Siguria nuk është e vetmja pengesë për dhurimin nga personat e gjallë. I tillë është edhe ndërgjegjësimi, pasi shumë pacientë hezitojnë të pyesin. Dhe megjithëse siguracioni shëndetësor i marrësit mbulon faturat mjekësore, disa donatorë përballen me shpenzime të tilla si udhëtimi, ose pagat e humbura, ndërsa rikuperohen pas transplantimit.
Ekipi i Universitetit të Nju Jorkut analizoi të dhënat në Shtetet e Bashkuara për mbi 164,000 dhurime të veshkave nga persona të gjallë nga viti 1993 deri në vitin 2022 dhe gjeti 36 vdekje pas operacionit. Më të rrezikuarit ishin dhuruesit meshkuj dhe ata me një historik tensioni të lartë të gjakut.
Vetëm pesë nga këto vdekje kanë ndodhur që nga viti 2013. Kjo periudhë përkoi me ndryshimin e procedurave në qendrat e transplantimit në SHBA, duke e bërë heqjen e veshkës me ndërhyrje më të vogël kirurgjikale dhe duke zbatuar një metodë më të mirë për të ndalur hemorragjinë, tha Dr. Segev.
“Me kalimin e kohës, është një operacion i sigurt që është bërë edhe më i sigurt” dhe është e rëndësishme që dhuruesit e mundshëm ta dinë këtë, tha Dr. Amit Tevar i Qendrës Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim.
Por ka edhe rreziqe afatgjata për t’u marrë parasysh, theksoi ai – përfshirë nëse veshka e mbetur e një dhuruesi pritet të zgjasë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tyre.
Rreziku që një dhurues të pësojë më vonë dështim të veshkës është gjithashtu i vogël dhe varet nga faktorë të tillë si obeziteti, tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit dhe historiku i sëmundjeve të veshkave në familje. Faktorët për përllogaritjen e rrezikut i ndihmojnë mjekët të përcaktojnë gjasat e një dhuruesi të mundshëm për komplikacione të mëvonshme në jetë dhe qendrat e transplantimit mund të kenë kritere disi të ndryshme për përshtatshmërinë.
“Nuk ekziston një gjë e tillë si një donator me rrezik të moderuar apo të lartë – ose je i përsosur ose jo”, është mënyra se si Dr. Tevar e merr vendimin për ta pranuar ose për të hequr dorë nga një dhurues i mundshëm.
Mjekët dikur mendonin se të rinjtë në moshë madhore ishin dhuruesi i gjallë ideal. Por Dr. Segev tha se ka një zhvendosje drejt dhuruesve më të vjetër të gjallë, sepse është më e lehtë të parashikohet saktë nëse do t’u mjaftojë veshka që u mbetet.
Nëse një dhurues i gjallë më vonë përjeton dështim të veshkave, atij i jepet përparësi për një transplantim, vuri në dukje Dr. Segev.