Lajme

Dialogu i ngrirë – shpresa për një takim këtë pranverë, por jo për marrëveshje

Në vitin 2013, ndërsa Evropa shihte zgjerim dhe stabilitet, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Pas viteve të tensioneve dhe dhimbjes së pasluftës, fqinjët dukeshin gati për një kapitull të ri – të pazakontë për historinë e rajonit.

Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dyja vendet, një hap më afër Evropës”, tha atëkohë Ashton.

Goxha premtuese për dy vende që anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kanë synim strategjik – të paktën në fjalë. Kjo u pasqyrua qartë edhe nga të dy kryeministrat – me Thaçin që vuri theksin te potenciali i marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re – atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”, tha Thaçi në atë kohë.

Përtej shpresës së krijuar tash e 13 vjet, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.

Edhe pse udhëheqësit në Kosovë, Serbi dhe Bashkimin Evropian kanë ndryshuar ndër vite, përparimi në pikën kyç të marrëveshjes – krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – ka mbetur i kufizuar.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën në disa parime. Ndonëse ka lënë hapësirë për harmonizim, në Prishtinë ka pasur rezerva të vazhdueshme, për shkak të, siç është thënë, ndikimit të mundshëm të Asociacionit në funksionalitetin e shtetit, ndërsa Brukseli dhe Beogradi kanë këmbëngulur në themelimin e tij.

Në fund, pavarësisht dhjetëra takimeve, një draft-statuti evropian dhe një marrëveshjeje të re pas dhjetë vjetësh, procesi ka mbetur në vendnumëro.

Të Ngjashme