Lajme

Diaspora me rol vendimtar, zgjedhjet e 28 dhjetorit mund t’i ‘trondisin’ liderët e opozitës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërbëri Kuvendin e Kosovës, i cili nuk arriti të zgjidhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Gjatë një konference për media, pas takimit që më herët gjatë ditës mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.

E në lidhje me shpalljen e zgjedhje të reja dhe bllokadën që u krijuar gjatë këtyre muajve foli opinionisti Dedë Preqi.

Fillimisht, ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se se gjithë rezultati i dështimit të formimit të institucioneve të reja, erdhi si pasojë e mosbashkëpunimit të partive tjera me LVV-në.

“Pas dështimit të mandatarit të parë dhe të dytë për kryeministër nga z.Kurti dhe z.Konjufca, që vijnë nga LVV, dështon edhe formimi i qeverisë së re, që do mbahet në mendje për një kohë të gjatë për « bllokimin » e krijimit të qeverisë dhe mos bashkëpunimin e partive opozitare PDK, LDK, AAK, dhe Lista serbe, koncepti primitiv i të cilave i shkaktoi këtij vendi një kosto të madhe politike, financiare dhe psikologjike në dëm të qytetarëve dhe shtetit.

Vërejtjet dhe kritikat për dështimin e krijimit të qeverisë vijnë nga anët e ndryshme si dhe nga BE-ja, e cila shpreh keqardhje për partitë politike të Kosovës, që nuk arritën një marrëveshje të dalin nga ngërçi politik i krijuar nga brenda në mes partive politike për të patur mundësi të krijojnë qeverinë e re dhe të përfitojnë mbi 882 milion euro, me mbështetje financiare që vjen nga BE-ja, në dobi të qytetarëve dhe këtij vendi”.

Krahas kësaj, Preqi përmendi edhe tentativat dhe insistimin e presidentes Osmani që të mos shkohet në zgjedhje të reja, port ë gjendet një kompromis, e ku një gjë e tillë u refuzua.

Image
Dedë Preqi.

Ai këtu u ndërlidh edhe me kritikat që mori Osmani për datën që zgjodhi për zgjedhje, e që sipas tij, opozita po i frikësohet votave të diasporës

“E para e vendit z.Vjosa Osmani, insistoi që mos të shkohet menjëherë në zgjedhje të reja pa u shfrytëzuar të gjitha mundësitë e ndonjë kompromisi të mundshëm në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetore, por përkundrazi nuk gjendet një pajtueshmëri në mes partive politike, me çrast presidentja detyrohet ta shpërndajë Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet tjera të jashtëzakonshme parlamentare, duke zgjedhur 28 dhjetorin e këtij viti.

Një datë e tillë e pa përshtatshme për PDK, LDK, dhe AAK, sepse u frikësohen votave të diasporës, edhe pse diaspora është e gjitha partive politike, por që do të ishte një rast i volitshëm për të shprehur vullnetin e tyre, me që janë edhe festat e fundvitit ku lëvizja e tyre është më vrullshme drejtë atdheut dhe e cila duhet të përfaqësohet sikur edhe herave tjera dhe sikur edhe në çdo rast tjetër që është kërkuar kontributi i saj i çmuar dhe i pa zavendësueshëm”.

Tutje, opinionisti vlerësoi qeverinë Kurti 2 për punën dhe faktin se arriti ta përmbyllë në tërësi mandatin qeverisës.

Kurse, për opozitën kishte kritikat për arrogancë dhe mosbashkëpunim parlamentar.

“Padyshim se kjo qeveri në krye me z.Kurti, e përmbylli mandatin e vet në kohën normale dhe të plotë, një mandat që deri më tani asnjë qeveri nuk ka arritë ta përfundojë deri në fund, sepse pushteti i tyre ishte i lidhur dhe i ndërthurur me elemente të krimit, korrupsionit dhe nepotizmit, dhe populli në një mënyrë i dënoi me votën e vet, por nuk i mbushi mend…

Mbresat e sjelljeve primitive të opozitës do mbeten në kujtesën e këtij populli për një kohë të gjatë, si në mënyrën kolektive poashtu edhe individuale, ndoshta për t’i kujtuar si të shkuara, dhe për të mos vijuar edhe në të ardhmen, apo me këtë avaz primitiv, duke treguar llojin e një kulture dhe edukate arrogante dhe aspak parlamentare, e cila do t’i shkonte përshtati vetëm atyre që nuk ia dojnë të mirën këtij vendi dhe këtij populli”.

Krahas kësaj, tha se zgjedhjet nuk janë mundësi që të happen rrugë të reja për opozitën, nëse kjo e fundit nuk ndryshon mentalitet të lidershipit politik.

SIpas tij, zgjedhjet e dhjetorit do i sqarojnë disa gjëra me rëndësi kyçe.

“Zgjedhjet e reja të cilat i kërkoi me ngulëm « opozita », duke ëndërruar ta gjejë vetëvetën në pushtet, por vetëm zgjedhjet nuk janë mundësi, që do të hapin rrugë të reja, nëse nuk ndryshohet mentaliteti i lidershipit partiak në Kosovë, duke e tërheq njeriun e këtij vendi në rrjedhat e veta, dhe në një marrëdhënie më të ngushtë me elementin e prekshëm njerëzor të këtij vendi.

Me zgjedhje të reja nuk duhet kuptuar sa herë që ne « dështojmë » në mënyrë të përsëritur dhe shprehim dëshirat tona, që ndoshta rastësisht mund të përfitojmë pushtet. Sigurisht se me zgjedhje të reja do ta kuptonim më mirë dhe me konkret se për kënd është vota e këtij populli, dhe njeriu i këtij vendi do ta vërtetojë më më saktësi se kush duhet të udhëheq dhe prijë këtij populli dhe kush po luan me fatin e qytetarëve të këtij vendi, vetëm për të pasur pushtet, famë dhe pasuri në korriz të popullit të vet”, shtjelloi Preqi.

Ndër të tjera, ai shtoi se, me zgjedhjet e reja, do largohen edhe disa deputetë të cilët përveç zhurmës, nuk kanë ofruar diçka tjetër.

Madje, shpreson që partitë të i zgjedhin me kujdes personat që do i radhitin në listat e tyre për Kuvend të Kosovës.

“Vet fjala « zgjedhje të reja », përmes të cilave vetë populli do ta ketë në dorë dhe do të vendos për fatin e vet, duke ia dhënë votën asaj apo atij që e meriton. Përveç tjerash, përveçse do kemi një kuadër të ri në sferat politike dhe në Kuvendin e Kosovës, do largohen edhe disa figura monotone deputetësh, të cilët kanë bërë vetëm zhurmë dhe asgjë tjetër, duke e marrë pagën në kurriz të këtij populli pa dhënë fare ndonjë kontribut të mundshëm.

Besojmë se do të kemi një vetëdije të përgjithshme nga gjitha partitë pjesëmarrëse me deputetët e vet në Kuvend, që të zëjnë vend më të merituarit dhe jo ata që na e bëjnë Parlamentin të mërzitshëm dhe të pashikueshëm nga skandalet dhe sjelljet e tyre arrogante”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.