Kryeministri Albin Kurti, se fundi ka filluar takime me mergaten shqiptare ne shtetet e ndryshme te BE-se.
Nga ajo çfarë është parë, kryeministri Kurti ka marrë mbështetje jashtëzakonshme, derisa kjo po shihet edhe si një përparësi për partinë e tij, LVV-në, me që zgjedhjet e reja parlametare po afrohen.
Natyrisht, dihet se në rezultatet e këtyre zgjedhjeve pritet të ndikojë vota e diasporës, derisa edhe ka pasur të atillë që e kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve në zgjedhje.
E në lidhje me këto takime dhe vizita të Kurtit, si dhe rëndësinë e votës së diasporës në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Së pari, ai tha se diaspora luan një rol të madh në zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë, derisa foli edhe për rëndësinë e votës së saj në zgjedhjet parlamentare.
Sipas tij, janë të gabuara thirrjet që kinse diaspora të mos përfshihet në zgjedhjet parlamentare dhe të mos ketë të drejtë vote, e për këtë dha disa arsyje.
“Me plotë të drejtë mund të themi se diaspora e jonë, përveç investimeve dhe aktiviteteve të shumta humanitare për vendin e tyre, diaspora luan rol të rëndësishëm edhe në zgjedhjet parlamentare të vendit, duke qenë në gatishmëri dhe pjesë e rëndësishme e proceseve zhvillimore në ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
Do të ishte gabim i pafalshëm për ata që deklarojnë se, diaspora nuk duhet të përfshihet në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, duke e konsideruar votën e diasporës si votë « emocionale », e cila u jepet njerëzve pa meritë, kinse kjo mërgatë nuk e njeh mirë realitetin e vendit të vet.
Mërgata është barometri më i saktë që e mat dhe e përcjell me përpikëri gjendjen e vendit të vet në çdo kohë dhe çdo moment. Mërgata është një burim i pashtershëm i aktiviteteve të shumta humanitare e atdhetare, dhe burim i pashtershëm i derdhjeve të mjeteve financiare në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Luginë dhe Maqedoninë e veriut”.
Dedë Preqi.
Gjithashtu, Preqi u rikthye pas në kohë dhe kujtoi edhe lidhshmërinë e madhe që presidenti Rugova kishte pasur me bashkatedhetarët.
“Edhe presidenti historik Ibrahim Rugova, shumë aktivitete dhe misione vitale i kishte realizuar në mërgatë së bashku me bashkëatdhetarët e vet, të cilët nuk i konsideronte vetëm si punëtorë krahu apo siç po i quajnë edhe « gërnaça », por mërgatën e konsideronte si pjesën të fuqishme të atdheut, brenda dhe jashtë.
Prandaj, edhe kryeministri i Kosovës, z. Kurti, mërgatën e konsideron si pjesë të pandashme të qeniës tonë njerëzore e kombëtare, e cila është e gatshme dhe në lidhje të ngushtë me atdheun në çdo kohë, duke dhënë gjithë arsenalin e vet potencial dhe material, për të mirën dhe zhvillimin e vendit të vet”, nënvizoi ai.
Më tej, opinionisti u shpreh se diaspora do marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurti dhe se vota e saj do ketë rëndësi shumë të madhe.
“Po ashtu edhe në këto zgjedhje të ardhshme të 9 shkurtit 2025, mërgata do bëhet pjesë, duke ia dhënë votën e vet atyre që e meritojnë dhe atyre që nuk abuzojnë me votën e tyre.
Kryeministri Kurti, në të shumtën e rasteve ka pasur edhe vizita zyrtare në shumë vende të Evropës dhe botës, të cilat vizita i ka shfrytëzuar edhe në takime të shumta me bashkëatdhetrët e vet, por edhe në kuptimin e asaj që mërgata të informohet dhe përgatitet për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit 2025, me që vota e tyre do të kishte një rol shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në rrjedhat e këtij procesi, që do të ndikonte në të ardhmen e këtij populli dhe vendi”, vlerësoi Preqi.
Ndër të tjera, ai shtoi se vota e diasporës do ta favorizojë e ndihmojë LVV-Listën Guxo, për ta formuar qeverinë pa koalicion parazgjedhor.
“Mërgata e jonë e shpërndarë në vendet e Evropës dhe botës, do ta ketë rolin e vet të veçantë në proceset zgjedhore, sikur edhe tani në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ku vota e shqiptarëve do të çojë peshë dhe do të ketë rëndësinë e vet, edhe pse në këtë vend si gjithherë dy parti janë vendimtare dhe për vendin tonë e kanë një rol të njëjtë.
Është e mundshme dhe pse jo, vota e mërgatës do ta favorizonte edhe këtë herë LVV, Listën Guxo dhe Alternativën, duke e rritur rezultatin, që të fitojnë këto zgjedhje, duke e formuar qeverinë e ardhshme pa ndonjë koalicion parazgjedhor me partitë tjera”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.