Lajme

​Diell e shtrëngata, ja parashikimi i motit për javën e ardhshme

Java që vjen do të karakterizohet nga mot relativisht i qëndrueshëm, me alternim të intervaleve me diell dhe vranësirave të herëpashershme. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në fillim të javës temperaturat do të jenë pranë mesatareve klimatike për këtë periudhë, ndërsa nga mesi i javës pritet rritje graduale e temperaturave, duke sjellë mot më të ngrohtë, përcjell KosovaPress.

Ndërkohë, nga dita e mërkurë deri të enjten parashihen kushte për zhvillim të vranësirave konvektive, të cilat vende-vende mund të shoqërohen me riga shiu, shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkime rrufesh.

Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe perëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar, ndërsa gjatë zhvillimit të proceseve konvektive mund të ketë përforcime të përkohshme.

Të hënën moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12°C dhe 15°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 24°C dhe 27°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi të lehtë deri mesatare.

Ditën e martë do të mbajë mot kryesisht me diell, me kalime të pakta vranësirash. Temperaturat minimale do të sillen nga 10°C deri në 13°C, ndërsa maksimalet nga 26°C deri në 30°C. Era do të fryjë nga perëndimi dhe veriperëndimi me intensitet të dobët deri mesatar.

Të mërkurën parashihet mot i ngrohtë me diell gjatë paradites, ndërsa në orët e pasdites pritet shtim i vranësirave. Vende-vende parashihen riga shiu, shtrëngata lokale dhe mundësi për shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11°C deri në 14°C, ndërsa maksimalet nga 28°C deri në 32°C. Era do të fryjë nga jugperëndimi, ndërsa gjatë zhvillimit të shtrëngatave mund të ketë përforcime të përkohshme.

Ditën e enjte moti do të jetë pjesërisht i vranët, me intervale me diell. Në disa zona parashihen ende riga lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, kryesisht gjatë orëve të pasdites. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 16°C, ndërsa maksimalet nga 26°C deri në 30°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar.

Ndërkohë të premten parashihet stabilizim gradual i motit. Do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 11°C dhe 15°C, ndërsa maksimalet nga 28°C deri në 32°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të dobët deri mesatar.

Kushtet agrometeorologjike

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Temperaturat e ngrohta dhe prania e intervaleve me diell do të mundësojnë zhvillimin normal të proceseve fiziologjike të bimëve. Reshjet e pritshme nga e mërkura deri të enjten do të përmirësojnë përmbajtjen e lagështisë në shtresën sipërfaqësore të tokës, duke lehtësuar stresin hidrik te kulturat pranverore dhe perimet. Megjithatë, në zonat ku paraqiten shtrëngata me intensitet më të lartë, mund të ketë lokalisht rrjedhje sipërfaqësore të ujit dhe ndërprerje të përkohshme të punimeve bujqësore. Fermerëve u rekomandohet që spërkatjet me preparate fitosanitare t’i planifikojnë jashtë periudhave me reshje.

Kushtet biometeorologjike

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës. Në ditët me temperatura më të larta, sidomos të mërkurën dhe të premten, gjatë orëve të mesditës rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në rrezet direkte të diellit, konsumimi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike intensive në ambient të hapur. Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë intervaleve me temperatura më të larta. Gjatë shtrëngatave të mundshme me shkarkime elektrike rekomandohet shmangia e qëndrimit në hapësira të ekspozuara.

Të Ngjashme