Një ndër tendencat më të reja ushqimore që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale si TikTok dhe Reddit është ajo e njohur si fibremaxxing, një praktikë e konsumimit të sasive jashtëzakonisht të larta të fibrave, shumë më tepër sesa rekomandojnë specialistët e ushqimit.
Kjo ‘filozofi diete’, e përqafuar kryesisht nga të rinjtë, premton humbje peshe të shpejtë, ndjesi të zgjatur ngopjeje, përmirësim të tretjes dhe eliminim të toksinave. Por, ndërsa fibrat janë një komponent i rëndësishëm i një regjimi të shëndetshëm ushqimor, teprimi i tyre sjell jo pak pasoja negative.
Çfarë është fibremaxxing?
Termi rrjedh nga kombinimi i fjalëve fibre (fibra) dhe maxxing (maksimizim). Ndjekësit e këtij trendi përpiqen të konsumojnë sasi ekstreme fibrash çdo ditë, kryesisht për të shtypur urinë dhe për të reduktuar ndjeshëm kaloritë – shpesh duke e zëvendësuar ushqimin real me përbërës që mbushin barkun, por kanë pak ose aspak vlera ushqyese.
Si aplikohet në praktikë?
Përdoruesit e këtij trendi konsumojnë:
Perime me pak kalori, si brokoli, lakra apo selino;
Fara me përmbajtje të lartë fibrash, si chia dhe liri;
Suplementë, si psyllium husk, inulin apo glukomanan;
Produkte me zero kalori, shpesh të përforcuara me fibra artificiale dhe ëmbëlsues të përpunuar.
Në rrjetet sociale qarkullojnë video me receta ekstreme, si smoothie me 40 gram psyllium ose makarona “pa kalori” të përgatitura me shirataki noodles dhe fibra shtesë.
Çfarë përfitimesh ofron rritja e fibrave?
Në masë të moderuar, fibrat janë thelbësore për shëndetin:
-Shtojnë ndjesinë e ngopjes dhe ndihmojnë në kontrollin e urisë;
-Përmirësojnë lëvizshmërinë e zorrëve dhe parandalojnë kapsllëkun;
-Ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesterolit të keq (LDL);
-Stabilizojnë sheqerin në gjak duke ngadalësuar përthithjen e karbohidrateve.
Kur fibrat kthehen në problem: rreziqet e fibremaxxing
Çrregullime të tretjes: Fryrje, dhimbje barku dhe gazra janë të zakonshme, sidomos kur konsumohen pa ujë të mjaftueshëm.
Ulje e përthithjes së lëndëve ushqyese: Sasi të mëdha fibrash mund të pengojnë absorbimin e mineraleve si hekuri, zinku apo kalciumi.
Rrezik për çrregullime ushqimore: Fibremaxxing mund të përdoret si maskë për probleme serioze si anoreksia, ku individi fshihet pas ushqimeve “të pastra” për të shmangur kalorite.
Ndjesi false sigurie: Jo çdo ushqim me shumë fibra është i shëndetshëm. Shpesh këto produkte përmbajnë shtesa artificiale, kanë mungesë proteinash dhe yndyrnash të dobishme.
Trendet virale nuk janë gjithmonë të sigurta
Rritja e popullaritetit të fibremaxxing në rrjetet sociale është dëshmi se si platformat dixhitale ndikojnë perceptimet tona për shëndetin. Në mungesë të udhëzimit profesional, këto tendenca shpesh shndërrohen në praktika të dëmshme.
Nutricionistët dhe mjekët paralajmërojnë se sasia e fibrave duhet të përshtatet me nevojat individuale, të shtohet gradualisht dhe gjithmonë të shoqërohet me ujë të bollshëm dhe një dietë të balancuar. Syri.net-iefimerida
