Nga: Denada Nako
Shpesh dëgjojmë dhe lexojmë për dietat e ndryshme drastike që mundësojnë/ose jo një humbje të madhe në peshë. Por pse ndonjëherë këto dieta nuk funksionojnë ashtu siç duhet?
Çfarë jam duke bërë gabim që kjo dietë e caktuar nuk po më funksionon?
Gjithashtu sipas një studimi të kohëve të fundit, rreth 95% e personave të cilët mbajnë një dietë të caktuar dhe humbin peshë, e rifitojnë këtë të fundit brenda një kohe të caktuar sërish. Kjo bën që këta persona të ndikohen nga rifitimi i peshës edhe nga ana psikologjike, gjë e cila do t’a vështirësonte edhe më shumë akoma ndjekjen e një diete tjetër apo pse jo, ndjekjen e një regjimi të shendetshëm. Pra, sërish sipas këtij studimi, dietat e ndryshme, e sidomos ato drastike, mund të jenë shpesh të suksesshme në rënien në peshë, por jo në mbajtjen e peshës konstante.
Kjo ndodh për arsye të shumta, nga të cilat më të rëndësishmet janë:
– Gjenetika, që do të thotë se organizmi ynë reagon në mënyrë të ndryshme nga një njëri tek tjetri. Faktori gjenetik është nga më të rëndësishmit, tek dietat dhe jo vetëm. Ky faktor ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, prandaj dietologu duhet t’a gjykojë dhe studiojë atë të parin kur këshillon një dietë të caktuar.
– Metabolizmi, që nënkupton se të gjithë ne, kemi një metabolizëm të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe jo të gjithë reagojmë njëlloj ndaj dietave. Sigurisht një nga faktorët që ndikon në mbajtjen e një diete të caktuar, me qëllim rënien nga pesha dhe mbajtjen konstante të peshës trupore, është metabolizmi, i cili është individual në fakt. Nëse metabolizmi është i ngadaltë, dietat kërkojnë më tepër kohë dhe korrektësi në ndjekje, e gjithashtu duhet të shoqërohen nga një aktivitet fizik i përhershëm.
– Grupi i gjakut, i cili është kaq i rëndësishëm të njihet para fillimit të cdo diete, sepse ushqime të ndryshme mund të reagojnë gjithashtu ndryshe në grupe të ndryshme gjaku. Nga studimet e fundit mbi dietat e ndryshme, përfshirë këtu dietën Paleo, Kalibra, etj, faktor kryesor në ndjekjen e tyre mbetet edhe grupi i gjakut, pasi disa lloje të ndryshme ushqimesh, ndikojnë ndryshe në grupe të gjaku të ndryshme, të cilat ndjekin regjime të ndryshme ushqimore.
– Intoleranca ushqimore, që nënkupton se individë të caktuar janë të ndjeshëm ndaj përbërësve të ndryshëm ushqimorë, prandaj nuk mund të ndjekin një dietë të caktuar. Të gjithë pothuajse e kuptojmë nëse një ushqim na reagon mirë në organizëm ose jo. Kjo sigurisht ka të bëjë me përbërës të caktuar, të cilët gjenden në ushqime apo pije të ndryshme, të cilat ndikojnë edhe në ndjekjen e dietave të ndryshme.
– Mosha është një nga faktorët të cilët duhen të merren gjithmonë parasysh përpara se të
këshillohet një dietë e caktuar. Është kaq e rëndësishme për të filluar një dietë (sidomos
hipokalorike), të njihet faktori moshë, sepse me kalimin e viteve metabolizmi ngadalësohet dhe sigurisht duhet të merren parasysh se cilat ushqime duhet të përfshihen ose jo në dietë.
– Faktorët plotësues, që përfshijnë kushtet në të cilat ndodhet individi, i cili do ti nënshtrohet dietës hipokalorike. Këtu përmendim periudha apo gjendje të vecanta në të cilat një individ ndodhet, si menopauza, adoleshenca, gjendja shëndetësore, shtatëzënia, laktacioni, diagnoza të ndryshme, etj.