Egla Ceno ka rrëfyer një përplasje verbale që, sipas saj, ka ndodhur gjatë një takimi të kryeministrit Edi Rama në Berat, ku po diskutohej reforma territoriale.
Në një prononcim për “VIP Magazine”, Ceno tregoi se ishte e pranishme në takim si përfaqësuese e Poliçanit, së bashku me qytetarë nga bashkitë Poliçan dhe Dimal.
Sipas versionit të saj, në fillim ministri Besfort Lamallari u dha fjalën qytetarëve, por pasi folën dy prej tyre, kryeministri ndërhyri duke thënë se takimi nuk ishte organizuar për të dëgjuar “sa mirë jetohet në Poliçan”.
“Pas 15 apo 20 minutash, gjatë të cilave shpjegoi përse duhej të bëhej reforma, kryeministri bënte pyetje, por nuk lejonte askënd të përgjigjej. E pyeta nëse do të na dëgjonte dhe ai më tha: ‘Dil jashtë’”, deklaroi Ceno.
Ajo thotë se i është përgjigjur se ishte e gatshme të largohej, por i kujtoi kryeministrit arsyen e pranisë së saj në takim. “I thashë: ‘Po, po, edhe jashtë dal, por jam këtu si përfaqësuese e qytetit tim’. Më pas e pyeta nëse takimi ishte monolog apo dialog”, vijoi ajo.
Sipas rrëfimit të Cenos, pas këtij shkëmbimi Rama vendosi që takimi të mos vazhdonte derisa ajo të largohej nga salla. Por situata mori një tjetër drejtim kur, siç pretendon ajo, qytetarët e pranishëm u ngritën dhe nuk pranuan që Ceno të largohej e vetme.
“Komuniteti u ngrit i gjithi dhe nuk më la të dilja jashtë. Në fund dolëm të gjithë”, përfundoi ajo.
