Kanë diplomuar 21 zjarrfikës të rinj të cilët përfunduan me sukses trajnimin profesional.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Sekretari i Përgjithshëm Genc Metaj.
Ky trajnim i ndarë në 9 module për 20 javë, u ofroi kadetëve mundësinë fitimit të njohurive të avancuara dhe aftësi konkrete për reagim të shpejtë dhe efikas në raste emergjencash, parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, si dhe për ndërhyrje profesionale në mbrojtje të jetës njerëzore, pronës dhe mjedisit.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zjarrfikësve, duke i pajisur ata me kompetencat e nevojshme për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë, të cilat po bëhen gjithnjë e më komplekse, thuhet nga MPB.
Me rastin e përfundimit me sukses të këtij trajnimi, Ministri Sveçla falënderoi të gjithë instruktorët dhe trajnerët të cilët kanë ndarë dijen dhe përvojën e tyre duke kontribuar drejtpërdrejtë në formimin profesional të këtyre zjarrfikësve. Po ashtu, Ministri Sveçla falënderoi edhe partnerët tanë ndërkombëtar që kanë kontribuar në këtë projekt./teve1.info/


