Lajme

Diplomojnë kadetët e rinj të FSK-së/ Kurti zbulon sa miliard euro do të investojnë në mbrojtje, Haxhiu flet për anëtarësimin në NATO

03.07.2026 – 11:11

Kurti: Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje

Diplomimi i gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shoqërua me zotime për investime të reja në sektorin e mbrojtjes dhe me thirrje për përkushtim ndaj shtetit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në mandatin e ardhshëm synohet investimi i 1 miliard eurove në mbrojtje, ndërtimi i fabrikës së municioneve dhe rritja e numrit të vajzave si pjesë e ushtrisë.

Ai theksoi se, përveç pajisjeve moderne dhe investimeve, elementi më i rëndësishëm i ushtrisë mbeten ushtarakët e përgatitur dhe të përkushtuar ndaj atdheut.

“Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni përjetuar vështirësi, keni sfiduar veten dhe jeni detyruar të arrini rezultate. Gjatë kësaj periudhe jeni ngarkuar me vlera të larta, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta keni si oficerë të Republikës. Qeveria e Kosovës gjatë këtyre viteve mbrojtjen e ka vendosur si njërën ndër prioritetet kryesore”, tha Kurti.

Ai tha se një ushtri moderne nuk ndërtohet vetëm me investime në pajisje ushtarake.

“Kjo është komponenta thelbësore e Forcës së Sigurisë. Për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar dhe të pajisur me pajisje moderne nuk është e mjaftueshme nëse ushtria jonë nuk shquhet me njerëz të devotshëm që e duan atdheun më shumë se veten”, tha ai.

Kurti paralajmëroi investime të mëdha në sektorin e mbrojtjes gjatë mandatit të ardhshëm.

“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha ai.

Në ceremoni foli edhe komandantja e Qendrës për Studime Universitare, majorja Mimoza Buteci, e cila u përcolli kadetëve mesazhe për mënyrën se si duhet ta ushtrojnë profesionin e tyre.

Ajo tha se oficerët duhet të vendosin interesin e shtetit dhe institucionit mbi interesat personale.

“Ju zgjodhët t’i vendosni interesat e të tjerëve, nevojat e institucionit dhe të tjerëve para nevojave dhe interesave tuaja personale. Prandaj mos harroni se detyra, nderi dhe atdheu duhet të jenë udhërrëfyesit tuaj para çdo vendimi që do ta merrni si drejtues të ushtrisë”, tha Buteci.

03.07.2026 – 11:04

Haxhiu: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës, lufta e UÇK-së dhe sakrifica e familjes Jashari themelet e lirisë

Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërton kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike.

Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026.

Haxhiu tha se sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbeten themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje oficerëve të rinj që ta ushtrojnë detyrën me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi.

“Kjo ditë u përket në radhë të parë sigurisht juve, kadetë. U përket familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. I përket akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi më të mëdha të jetës së tyre”, tha ajo.

Haxhiu tha se diplomimi shënon fillimin e një përgjegjësie të re për oficerët e rinj, të cilët gjatë katër viteve kanë kaluar një proces të plotë akademik dhe ushtarak.

“Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj. Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve, përmes programit të integruar akademik dhe ushtarak, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo.

Ajo theksoi se grada ushtarake bart përgjegjësi dhe duhet të justifikohet me profesionalizëm e integritet.

“Gradat që do të mbani në supet tuaja nga sot nuk janë thjesht dekorim në uniformën tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdesin ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe atëherë kur vendimet mund të jenë të vështira”, tha ajo.

03.07.2026 – 11:03

Haxhiu dhe Bashkim Jashari presin Albin Kurtin në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën Kryeministrin Albin Kurti para fillimit të ceremonisë së diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026.

Ceremonia po mbahet në prani të udhëheqësve më të lartë shtetërorë, përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe familjarëve të kadetëve.

Të cilët po shënojnë përfundimin e shkollimit ushtarak dhe nisjen e karrierës së tyre në shërbim të vendit.

Gjatë ceremonisë pritet të mbahen fjalime nga krerët institucionalë dhe drejtuesit e FSK-së, ndërsa kadetët do të marrin diplomat dhe do të betohen për t’i shërbyer Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme