Kongresmeni amerikan Keith Self ka ngritur çështjen e diskriminimit ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Ditë më parë, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan miratoi me 43 vota pro dhe 3 kundër një projektligj që kërkon nga Sekretari i Shtetit të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me një fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës.
Ky projektligj pritet të kalojë më pas për shqyrtim dhe votim të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, para se të shkojë për nënshkrim te Presidenti amerikan, Donald Trump.
Veprimtari nga Bujanovci, Refik Hasani, ka deklaruar për “Bota sot” se prezentimi i Projektligjit të iniciuar nga Kongresisti Keith Self, pas vlerësimit në komision, do të raportohet nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe më pas do të votohet nga e gjithë Dhoma.
Ai këtë projektligj e konsideron një hap historik dhe të rëndësishëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave themelore dhe kolektive të shqiptarëve.
Sipas tij, H.R. 6411 ofron mbështetje thelbësore dhe hap rrugën për ndërmjetësim dhe garanci ndërkombëtare për zgjidhje të drejtë.

Veprimtari nga Bujanovci, Refik Hasani
“Prezentimi i Projektligjit të rezolutës me numër H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti SELF, pasi të kalojë vlerësimin e komisionit, do të raportohet nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe më pas do të dërgohet në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së për votim. Nëse miratohet, rezoluta me numër H.R. 6411 do t’i kalojë Senatit të SHBA-së; pasi Senati ta miratojë, projektligji do t’i dërgohet Presidentit të SHBA-së për nënshkrim.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore. Këto janë në mbrojtje të vlerave demokratike, veçanërisht pasi janë autoktonë, kanë shprehur vullnetin plebishitar dhe kanë manifestuar sakrificën duke mbrojtur pragun përmes luftës së armatosur.
Ky është një zhvillim me tretman dhe vlerë historike, ku ndërkombëtarizimi ka arritur në nivelet më të larta të vendimmarrjes së politikës së jashtme të SHBA-së. Çështja e Krahinës sonë është vënë në instanca dhe mekanizma të lartë të Senatit, Kongresit dhe Presidentit të SHBA-së, sepse në këtë krahinë ekziston diskriminim sistematik dhe, mbi të gjitha, nuk ka status të qartë politik dhe juridik. Pra, ky është një kapitull i ri dhe një moment shumë domethënës për shqiptarët e kësaj Krahinë. Ky është një mbështetje thelbësore, ku nga rezoluta me numër H.R. 6411 do të kemi përkrahje edhe nga administrata më e lartë – Capitol Hill dhe Shtëpia e Bardhë.
Kjo tregon se kemi shprehur vullnetin plebishitar si komunitet i organizuar dhe se kjo Krahinë i përket Evropës, por nuk ka ende status të zgjidhur politik dhe juridik, dhe kërkon zgjidhje të drejtë, të pranueshme me ndërmjetësim dhe garanci të faktorëve politikë dhe ushtarak ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Më tej, Hasani ka vlerësuar se zyrtarizimi ligjor i Rezolutës është një veprim konkret me ndikim ndërkombëtar, i cili do të rrisë ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur të Krahinës dhe do të intensifikojë vëmendjen e SHBA-së, BE-së dhe OKB-së për këtë problem.
Ai ka përshëndet faktin që diskriminimi sistematik i shqiptarëve autoktonë në këtë krahinë është bërë pjesë e diskutimit zyrtar në nivelet më të larta të politikës amerikane, dhe shpreh mirënjohjen e tij për Kongresistin Keith Self, Kongresmenët tjerë dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, për kontributin e tyre në avokimin dhe lobimin që çoi në njohjen dhe pranimin zyrtar të këtij diskriminimi.
“Pas referendumeve të 1 dhe 2 marsit 1992, sakrificës dhe kryengritjes së armatosur përmes luftës së UÇPMB-së, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e kësaj Krahinë, si dhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, zyrtarizimi ligjor i REZOLUTËS me numër H.R. 6411 përbën një veprim konkret me ndikim ndërkombëtar. Ai do të reflektojë pozitivisht edhe në ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të çështjes së pazgjidhur të kësaj Krahinë, duke rritur presionin dhe intensifikimin jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga instanca të BE-së dhe OKB-së, që përmes prononcimeve, tryezave, debateve dhe konferencave shkencore janë përpjekur të arsyetojnë këtë çështje dhe tani po bëhet realitet.
Është për të përshëndetur fakti që diskriminimi i kësaj Krahinë është bërë pjesë e diskutimit zyrtar në nivelet më të larta të politikëbërjes amerikane. Mirënjohje e sinqertë i shprehet jo vetëm Kongresmenit amerikan Keith SELF, por edhe kongresmenëve të tjerë, si demokratë dhe republikanë, si dhe komunitetit shqiptaro-amerikan për angazhimin dhe kontributin e tyre. Përmes avokimit, lobimit të vazhdueshëm, takimeve dhe prezantimeve me fakte, prova dhe dëshmi të bollshme, është arritur që të njihet dhe të pranohet zyrtarisht diskriminimi sistematik që Republika e Serbisë ushtron ndaj shqiptarëve autoktonë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Hasani ka potencuar se prezantimi i Projektligjit tregon se çështja e shqiptarëve autoktonë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk është më vetëm një çështje e brendshme.
Ai ka nënvizuar se tani kjo çështje është e mbrojtur konkretisht nga SHBA-ja, përmes prezencës, monitorimit dhe garantimit të ruajtjes së dinjitetit, identitetit, barazisë dhe të drejtave themelore të shqiptarëve, në përputhje me akte dhe konventa ndërkombëtare dhe evropiane.
“Prezentimi i Projektligjit të REZOLUTËS me numër H.R. 6411 tregon se etnikumi autokton shqiptar në Rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm çështje e brendshme e Serbisë. Përkundër që kemi mbajtur Referendumin e 1 e 2 marsit 1992, kemi bërë sakrifica dhe ka ndodhur kryengritja e armatosur përmes luftës së UÇPMB-së, dhe përtej arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, ekziston një diskriminim sistematik nga Serbia.
Tani e tutje, kjo çështje është në garanci konkrete nga SHBA-ja, përmes prezencës, monitorimit dhe garantimit të ruajtjes së dinjitetit, identitetit, barazisë dhe të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore, sipas akteve dhe konventave më të larta evropiane dhe ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
Tutje, Hasani ka cekur se Serbia vazhdon të kryejë shkelje të rënda, mohim sistematik të shtetësisë dhe diskriminim klasik ndaj shqiptarëve në rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke mos zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022, dhe duke përdorur gjuhë urrejtjeje, racizëm dhe ksenofobi.
Ai ka përmendur mangësitë në përfaqësimin shqiptar: mosrespektimi i vendeve të rezervuara në Parlamentin e Serbisë, mungesa e mundësive universitare, mosintegrimi proporcional në strukturat shtetërore, moskthimi i Lapidarit të UÇPMB-së dhe moskompensimi i dëmeve nga konfliktet. Shqiptarët përballen me frikë, presione për shpërngulje, asimilim dhe pastrim etnik.
Ai thekson se Rezoluta e SHBA-së është një hap vendimtar që do të ndalë diskriminimin dhe do të çojë drejt zgjidhjes së drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së rajonit, duke mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe të drejtat themelore të shqiptarëve.
“Serbia vazhdon shkelje të rënda, cenim të vazhdueshëm, mohim sistematik të shtetësisë dhe diskriminim klasik. Ajo nuk ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të këtij rajoni në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022. Këtyre i shtohet përdorimi i një gjuhe urrejtjeje, racizmit dhe ksenofobisë.
Ekzistojnë mangësi të mëdha në përfaqësimin e shqiptarëve, siç janë: mosrespektimi i vendeve të rezervuara në Parlamentin e Serbisë, mosmundësia e shkollimit në nivel universitar, moszbatimi i detyrës që komandantët e policisë në këto komuna të jenë nga përkatësia nacionale shqiptare – pra mosintegrimi proporcional i shqiptarëve në strukturat shtetërore. Gjithashtu, nuk është kthyer Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, nuk ka ndodhur demilitarizimi i plotë i Krahinës, nuk janë kompensuar dëmet nga konfliktet e armatosura dhe nuk ka investime, përkundrazi ekzistojnë tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim dhe pastrim etnik.
Shqiptarët në Serbi jetojnë në kushte pushtimi klasik, të ekspozuar ndaj frikës, urrejtjes, militarizimit dhe presioneve të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim dhe pastrim etnik.
Këto janë sfidat e së ardhmes për këtë Krahinë, dhe SHBA-ja, përmes jetësimit të Rezolutës H.R. 6411, do të ndalë diskriminimin dhe do të çojë drejt zgjidhjes së drejtë të çështjes së rajonit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka përfunduar Hasani.
