Lajme

Ditët vendimtare për Presidentin: Kompromis apo shpërndarje e Kuvendit dhe zgjedhje të reja?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar të mërkurën se Kuvendi i Kosovës është konstituuar, edhe pse pas skadimit të afatit 30-ditor, ndërsa zgjedhja e Qeverisë është bërë në përputhje me Kushtetutën.

Në vendimin e saj, Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ka nisur më 8 gusht 2026. Kjo nënkupton se Kuvendi ka kohë deri më 6 tetor për ta zgjedhur kreun e shtetit.

“Afati gjashtëdhjetë (60)-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Analistët politikë thonë se afati deri më 6 tetor, sipas tyre është pak, por nëse partitë arrijnë të kuptojnë brenda këtyre ditëve se ekziston formula për presidentin, por duhet përdorur ajo, atëherë marrëveshja është e mundshme. Ata konsiderojnë se është kohë për mirëkuptim dhe kompromise ka.

Problemi politik, kompromisi dhe dështimi

Analisti politik, Lirim Gashi konsideron se 11 ditë janë shumë pak për politikën e Kosovës që të bëjnë një marrëveshje për presidentin.

Image
Lirim Gashi

Sipas tij, problem është politik, jo matematikor, por ekziston formula.

“Unë nuk do të bëja gabimin klasik kosovar që ta pyesja fallxhoren politike për rezultatin e negociatave. Në Kosovë, edhe meteorologët kanë më pak vështirësi të parashikojnë motin sesa analistët të parashikojnë se çfarë do të bëjë një deputet kur i afrohet kutisë së votimit.

Ajo që mund të them është se 11 ditë janë shumë pak për politikën kosovare, por jashtëzakonisht shumë për një marrëveshje që palët vërtet duan ta bëjnë.

Problemi nuk është matematikor. Është politik. Presidenti kërkon mbështetje të gjerë parlamentare dhe Kushtetuta e përcakton qartë procedurën: në dy votimet e para kërkohet shumica prej dy të tretash, ndërsa në të tretin votohet mes dy kandidatëve më të votuar dhe kërkohet shumica e të gjithë deputetëve. Pra, formula ekziston. Ajo që mungon zakonisht është dëshira për ta përdorur formulën pa e pyetur fillimisht kalkulatorin partiak. Në fund të fundit, Presidenti nuk duhet të zgjidhet si kryetar i një partie, por si kreu i shtetit. Nëse partitë arrijnë ta kuptojnë këtë brenda këtyre ditëve, marrëveshja është e mundshme. Nëse vazhdojnë ta shohin presidencën si një trofe në luftën mes partive, atëherë edhe 13 muaj do të ishin pak”, deklaron Gashi për “Bota sot”.

Sipas tij, hapësirë për kompromis ka, por pyetja është nëse ekziston kompromisi.

Kompromisi do të ishte që partitë të pranonin një parim shumë të thjeshtë: Presidenti nuk është shpërblim për partinë që ka më shumë deputetë, as dënim për partinë që ka më pak, thekson Gashi.

“Hapësira për kompromis ekziston. Pyetja është nëse ekziston edhe kompromisi.

Në Kosovë kemi një fenomen interesant: partitë politike shpesh janë shumë të gatshme të bëjnë kompromis me realitetin, por shumë më pak të gatshme të bëjnë kompromis me njëra-tjetrën. Megjithatë, tani situata është më konkrete. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Kjo do të thotë se ora politike nuk është më në murin e sallës së Kuvendit. Është në tavolinën e secilit lider. Dhe këtu vjen paradoksi kosovar: të gjithë flasin për stabilitet institucional, por secili dëshiron që stabiliteti të vijë me firmën e tjetrit.

Kompromisi do të ishte që partitë të pranonin një parim shumë të thjeshtë: Presidenti nuk është shpërblim për partinë që ka më shumë deputetë, as dënim për partinë që ka më pak. Është institucion i shtetit. Nëse ky parim pranohet, ka hapësirë për marrëveshje. Nëse jo, mund të kemi edhe një kapitull tjetër të serialit që tashmë po zgjat më shumë se serialet braziliane”, pohon analisti.

Një figurë jopartiake, sipas Gashit, do të ishte një zgjidhje e mundshme pikërisht sepse mund të ulë temperaturën partiake.

“Unë do ta kërkoja kandidatin jo te pyetja: “Kujt i përket?”, por te pyetja: “Çfarë i përket këtij njeriu?” Nëse i përket vetëm një partie, atëherë kemi kandidat partiak.

Nëse i përket shtetit, Kushtetutës dhe interesit publik, atëherë kemi një kandidat presidencial. Një kandidat që mund të krijojë hapësirë për konsensus do të duhej të kishte integritet publik, kredibilitet institucional, përvojë dhe aftësi për të komunikuar me kampe të ndryshme politike pa u shndërruar në përfaqësues të asnjërës prej tyre.

Dhe po, një figurë jopartiake mund të jetë një zgjidhje e mundshme, pikërisht sepse mund ta ulë temperaturën partiake. Por edhe këtu kemi një problem të vogël kosovar: ndonjëherë mjafton që një njeri të jetë i pavarur nga partitë që partitë të fillojnë ta pyesin veten se nga cila parti është i pavarur. Në fund, kandidati duhet të jetë më i madh se marrëveshja që e sjell në Presidencë. Sepse Presidenti duhet të jetë simbol i unitetit të qytetarëve, jo dëshmi fotografike e një pazari politik”, thekson Gashi.

Në fund, i pyetur rreth pasojave që do të kishte dështimi i zgjedhjes së presidentit brenda afatit të përcaktuar, Gashi, flet rreth absurdit të madh dhe shton se demokracia nuk kërkon që partitë të mendojnë njësoj, por kërkon vetëm që, kur vjen puna te shteti, të jenë në gjendje të mos mendojnë vetëm për veten.

“Këtu nuk kemi më nevojë për satirë. Kushtetuta e ka shkruar vetë punchline-in. Neni 82 përcakton se Kuvendi shpërndahet nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes. Ndërsa Neni 86 përcakton se, nëse kandidati nuk zgjidhet as në votimin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Pra, dështimi nuk do të ishte thjesht një tjetër debat televiziv ku të gjithë dalin të kënaqur me veten dhe fajësojnë të tjerët.Do të kishte një pasojë institucionale shumë konkrete: shpërndarjen e Kuvendit dhe rrugën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Dhe këtu është absurdi më i madh: Ne mund të hyjmë në zgjedhje të reja për të zgjedhur një Kuvend të ri, i cili pastaj do të duhet të merret përsëri me problemin që ky Kuvend nuk arriti ta zgjidhë. Kjo do të ishte pak a shumë sikur një familje të mos arrijë të vendosë kush do ta hapë derën dhe, për këtë arsye, të ndërtojë një shtëpi të re. Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është vetëm nëse partitë mund të merren vesh për Presidentin. Pyetja është nëse politika kosovare është në gjendje ta dallojë kompromisin nga kapitullimi dhe parimin nga interesi partiak. Sepse demokracia nuk kërkon që partitë të mendojnë njësoj. Kërkon vetëm që, kur vjen puna te shteti, të jenë në gjendje të mos mendojnë vetëm për veten”, përfundon analisti.

Politika dhe ngërçet

Ndërsa, analisti politik Milazim Maraj, thotë vendi po përballet me zgjedhje që nuk prodhojnë zgjidhje, por ngërçe.

Image
Milazim Maraj

Ai fajëson LVV-në dhe LDK-në për paaftësi.

“Po përballemi me zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat nuk po prodhojnë zgjidhje por ngërçe. Një sjellje anormale dhe antikombëtare për të plotësuar tekët e kryeneçësisë apo për të mbrojtur paligjshmërinë e mëhershme. Janë këto interesa të grupeve të caktuara që frikohen nga përfitimet e tyre të kundërligjshme apo janë parti të kapura nga forca kriminale jashtë shtetit tonë. Kushtet të ngrira që i sjell, Albin Kurti bashkë me ofendime e përçmime ndikojnë mjaftë në krijimin e atmosferës konfiskuese në vend të asaj bashkëpunuese ndërpartiake në Kosovë. Paaftësia e kryetarit të LVV për të gjete një gjuhë të përbashkët për krijimin e institucioneve të Kosovës është për të u studiuar thellë, është paaftësi apo porosi. LDK është parti e përçarë dhe kjo gjendje pritej të ndodhë. Vetëm pas zgjedhjeve në parti mund të pritet kontribut demokratik dhe i favorshëm i LDK për vendin”, shprehet Maraj për “Bota sot”.

PDK dhe AAK, sipas Marajt, janë në aksion për ta mbrojtur pozitën e vet, ndërsa konsideron se Kosova është në një situatë anarkie që po i sjellë dhe do t’i sjellë shumë dëme.

“PDK dhe AAK tani janë në aksion për ta mbrojtur pozitën e vet nga e kaluara duke protestuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale, edhe pse e janë të informuar mirë që më këto veprime jo vetëm që po ndihmojnë por përkundër po e vështirësojnë më shumë çështjen e të dënuarve dhe po vrasin imazhin e Kosovës në Botë. Pse nuk pritet apeli? Pse nuk përgatiten për apel me argumente të reja. Pse shantazhojnë nga rruga? Ç’ është kjo mosdije apo qellim i keq? Jemi pranë një situate anarkie që Kosovës po i sjell dhe do të i sjell shumë dëme. Mos dështimi i zgjedhjes se Presidentit të Kosovës ishte thjeshtë çështje inati. Në dëme të vendit dhe qytetarëve që u besuan. Inati ndaj kujt? përveç i atyre që u besuam, iu dhamë votën për ta bërë Kosovën shtet stabil dhe me institucione demokratike që punojnë shumë, ndërsa ju prodhoni anarki. Si nuk u turpëruan para zgjedhësve që u besuan dhe i votuan. Kosova ka votuar shtetin demokratik. Centralizimi në emër të numrit të votave është totalitarizëm. Këtë e shohin dhe e kuptojnë të gjithë. Afati për të gjete kompromis në mes të partive politike është i shkurtër. Këtë afat e sollën në këtë prag me qellim nga se nga zgjedhjet kishin kohë të mjaftueshme, por nuk e shfrytëzuan”, nënvizon analisti.

Në fund, ai thotë se nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme përsëri do të prodhoheshin kushtet e jashtëzakonshme.

Ai shton se kohë për mirëkuptim dhe kompromise ka.

“Shkuarja në zgjedhje përsëri të jashtëzakonshme prodhon kushte të jashtëzakonshme dhe ulje të numrit të votuesve të demoralizuar me qëndrim jo korrekt të te zgjedhurve të tyre dhe jo seriozitetin e tyre. E treta e vërteta thotë populli. Tani pas tre palë zgjedhjeve nuk do të mashtrohen me hedhjen e fajit të opozita. Nga se kishte mjaftë mundësi që zgjedhjet dhe krijimi i institucioneve por këtë kohë e harxhoj me spektakle për gjetjen e Presidentit konsensual. Tani përveç humbjeve materiale, në OKB Kosova ishte pa zë. Nuk kishte kush të fliste kundër gënjeshtrave serbe. Vuçiq mbante ligjërata morale në mungesë të Presidentit të Kosovës. Kjo duhet të troket në ndërgjegjen tuaj që u besuam dhe na mashtruat. Ata që morën besimin e madh nga shqiptaret, këtë besim e keqpërdoren pa mëshirshëm. Në interes të kujt po punojnë? Sjellja e vendit në anarki është shumë afër. Në horizontin e Kosovës nuk shihet ndonjë veprim shpresëdhënës për tejkalimin e kësaj situate. Albin Kurti në SHBA nuk pranohet në OKB por bënë fushatë zgjedhore. Tani qytetaret në vend të kërkimit të përgjegjësisë janë në situatë që të i lusin për unitet në mes veti, për të arritur më të mirën për vendin. A ka kohë ende për kompromise? Kohë për mirëkuptim dhe kompromise ka. Por a ka vullnet, a ka përgjegjësi, a respektojnë gjakun, dhe sakrificën e të rënëve, në emër të cilëve thirrën me altoparlant?. Kush po shkel tani gjakun e dëshmorëve? Gjykata speciale apo këta që mbajnë vazhdimisht zgjedhje të jashtëzakonshme dhe nuk arrijnë marrëveshje në mes veti si vëllezër për të mirën e vendit, për atë që ranë dëshmoret tonë”, përfundon Maraj.

Të Ngjashme