Lajme

Ditmir Bushati ‘shpërthen’ ndaj Ramës në “Il Foglio”: ”Të tallesh me protestuesit, do të thotë të luash me zjarrin”

E përditshmja italiane “Il Foglio”, i ka kushtuar një analizë të plotë situatës në vendin tonë, ku prej më shumë se një muajsh shqiptarët po kërkojnë largimin e Ramës. Gazeta italiane thekson në atikull se protsta që nisi për të mbrojtur flamingot është shndërruar në revoltën më të madhe qytetare kundër qeverisë.

Il Foglio e përshkruan Shqipërinë si një vend ku zemërimi ndaj korrupsionit, ndërtimeve pa kufi, mungesës së transparencës dhe kapjes së institucioneve ka bashkuar mijëra qytetarë në një lëvizje që shkon përtej ndarjeve politike. Sipas artikullit, “Revolucioni i Flamingove” nuk është më vetëm një betejë për mbrojtjen e natyrës, por simbol i një vendi që kërkon të mbrojë identitetin, të ardhmen dhe demokracinë e tij.

Në artikull, gazetari Nicola Mirenzi trajton atë që e quan “revolta e rrugës”, duke u ndalur tek arsyet që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe të gjithë klasës së vjetër politike.

Artikulli vë në duke se për vite me radhë Rama është prezantuar në Perëndim si një figurë moderne, pro-europiane dhe reformuese, por situata aktuale politike dhe protestat në rritje kanë ndryshuar perceptimin ndaj tij.

Në këtë kontekst, Mirenzi i është drejtuar për koment ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka theksuar se neglizhimi i pakënaqësisë qytetare mund të ketë pasoja të rënda politike.

“Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”, është shprehur Bushati për gazetën italiane.

Artikulli i plotë i IL Foglio:

Faji për alarmin në Shqipëri janë flamingot rozë. Elegantë dhe të bardhë, ata arrijnë të jetojnë në baltë pa u ndotur. Këmbët e gjata, qafa e përkulshme: duken sikur kanë ardhur në tokë nga një ëndërr. Përcjellin një ndjenjë delikatese që të shtyn natyrshëm të duash t’i mbrosh. Edhe për këtë arsye janë bërë simboli i protestës së madhe që, prej më shumë se tridhjetë ditësh, mbush rrugët dhe sheshet e Shqipërisë kundër qeverisë së socialistit Edi Rama.

Protagonistë janë të rinjtë, por në të vërtetë lëvizja është gjithëpërfshirëse. Të gjithë thërrasin në kor: “Shqipëria nuk është në shitje.”

Dhe zemërimin e kanë me etjen për ta futur vendin në modernitet duke u lënë dorë të lirë çdo sipërmarrësi të huaj që ka para për të ndërtuar. Një projekt pas tjetrit: fshatra turistikë, hotele luksoze, rrokaqiej. Pak rëndësi ka kujt i shërbejnë, kë dëmtojnë; e rëndësishme është të ndërtohen. Pa u kujdesur për brigjet, bukuritë natyrore, trashëgiminë peizazhistike dhe harmoninë urbane.

Prej vitesh ndodh kështu, denoncojnë protestuesit. Por kur, në fund të majit, puna arriti në zonën e mbrojtur pranë fshatit Zvërnec, afër Vlorës, gjithçka precipitoi. Është vendi ku dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, bashkëshorti i Ivankës, planifikon të ndërtojë një resort luksoz.

Nuk është e qartë si dhe kur. As çfarë synon të bëjë me flamingot rozë që jetojnë aty. Megjithatë, më 30 maj, në plazh shtrihet tela me gjemba. Autoritetet nuk shpjegojnë se çfarë po ndodh. Shpërthen një protestë.

Një manifestues dëbohet nga punonjësit e sigurisë private dhe tërhiqet zvarrë për dhjetëra metra. Videoja përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale. Zemërimi rritet. Që nga dita pasuese, sheshet mbushen me njerëz që duan ta shohin “Edi Ramën në burg.”

See also  Shenjat e zodiakut që do të kenë më shumë fat gjatë fundjavës dhe javës së ardhshmeNjë turmë që e konsideron atë një kriminel. Një njeri që ia ka hedhur Shqipërinë në gojë peshkaqenëve. Njerëz me shumë para, shpesh për t’u pastruar, të mësuar të mendojnë se çdo gjë ka një çmim. Edhe flamingot rozë.

E megjithatë, Edi Rama kishte arritur t’ia hiqte Shqipërisë nga supet imazhin e mallkuar të viteve nëntëdhjetë, viteve të tmerrshme të fundit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai fitoi zgjedhjet e para në shtator 2013 dhe më pas edhe tre të tjera radhazi.

Trembëdhjetë vjet të pandërprerë në pushtet, gjatë të cilave bëri që të harrohej koha kur shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi në prag të luftës civile, mbi anije të mbushura me njerëz që kishin jetuar për dekada në një shtet-burg, pa marrëdhënie me botën e jashtme, aq i izoluar sa të besonte se Italia ishte Amerika, Toka e Premtuar.

Me Ramën, Shqipëria është bërë një vend shumë më i dëshirueshëm, një destinacion turistik, një vend ku është e mundur të investosh. Piktor përpara se të hynte në politikë në Partinë Socialiste, Edi Rama ka ekspozuar në Nju Jork dhe Berlin.

Ka jetuar në Paris dhe ka shkruar për gazeta prestigjioze si The Guardian, The New York Times, The Independent dhe Frankfurter Allgemeine. Është meritë e tij që në vitin 2027 pritet të përfundojnë negociatat teknike për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, me synimin që vendi të anëtarësohet në vitin 2030.

Është ai që ka ndërtuar marrëdhëniet. Që ka kultivuar kontaktet. Gjithçka mes puthjeve, përqafimeve dhe përkuljeve me Giorgia Melonin, së cilës i lejoi të ndërtojë një qendër riatdhesimi në territorin shqiptar.

Një marrëdhënie e veçantë me Emmanuel Macronin, i cili e konsideron “mik”. “Adhurimi” i yllit të progresizmit, Pedro Sánchez. Por ai ka arritur të lërë përshtypje edhe te Ursula von der Leyen. Përveç kësaj, një marrëdhënie e shkëlqyer me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán. Shenjë se nuk ka barriera ideologjike që ta pengojnë të lëvizë me lehtësi.

Për të mos folur për Angela Merkelin. “Falë Edi Ramës,” – tha kancelarja – “Shqipëria po bën përparime të mëdha.”

Kështu gjendemi përballë alarmit që po dëgjohet në mbarë Shqipërinë disi të befasuar, si viktima të një flluske, me ndjesinë se jemi mashtruar nga një operacion i aftë marketingu politik.

Fatma Paja, një vajzë 28-vjeçare, i thotë Il Foglio-s: “Protestoj që prej 30 majit. Do të vazhdoj derisa Edi Rama të largohet. Nuk më intereson vapë sa bën. Do të bëj gjithçka që është e nevojshme.”

E rritur në një fshat të brendësisë së vendit, Fatma u transferua dhjetë vjet më parë në kryeqytet, Tiranë. Është dizajnere dhe punon me dy motrat e saj. Së bashku me një grup artistësh të tjerë krijoi kartonin me flamingon rozë që shfaqet në çdo protestë dhe që është bërë simboli i asaj që ata e quajnë, në anglisht, “Flamingo Revolution” – Revolucioni i Flamingove.

“Unë nuk jam kundër investimeve të huaja në Shqipëri,” – thotë ajo. “Jam kundër investimeve të huaja të menaxhuara në këtë mënyrë. Pa transparencë, pa rregulla, pa respekt për natyrën, për trashëgiminë tonë, pa marrë parasysh përfitimet ose dëmet që u sjellin atyre që jetojnë këtu. Kujt i shërbejnë gjithë këto resorte luksoze? Shqiptarëve që nuk kanë para të shkelin aty, apo oligarkëve që mund të vijnë këtu dhe të bëjnë çfarë të duan?”

See also  Shqiptari në Greqi i ngacmoi sek*ualisht partneren, bullgari e bën për spitalEdhe Bernie Sanders, heroi i vjetër i së majtës amerikane, e ka vlerësuar protestën duke përmendur të pasurit. Po ashtu edhe Ilaria Salis, e cila mbërriti në sheshin e Tiranës të dielën e kaluar.

Por ajo që më habit te Fatma – dhe ia them edhe asaj – është fakti që ajo ka zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri, që nuk bën pjesë në atë përqindje të lartë shqiptarësh që çdo vit largohen nga vendi, ku 62 për qind janë nën moshën 35-vjeçare.

Ajo përgjigjet duke e kthyer përmbys pyetjen: “Nuk jemi ne ata që duhet të largohemi. Janë ata që duhet të largohen. Këta politikanë të korruptuar, qofshin të djathtë apo të majtë, janë të gjithë të përfshirë.”

Në shesh nuk thonë vetëm se duan Edi Ramën në burg. Thonë se duan aty edhe Sali Berishën, liderin e opozitës, një figurë me një karrierë të gjatë dhe të debatueshme në Shqipërinë postkomuniste.

Edi Rama fitoi kundër tij pasi, në nëntor të vitit 2012, Berisha pati idenë rrëqethëse të festonte 100-vjetorin e pavarësisë duke urdhëruar një flijim gjigant publik bagëtish. Qengja dhe desh të therur e të ngrënë në çdo cep të vendit.

“E imagjinoni Angela Merkelin dhe François Hollande-in që kërkojnë të vriten mijëra kafshë të pafajshme?” – kishte ironizuar Rama.

Sot, megjithatë, shumë e vendosin në të njëjtin plan me kundërshtarin e tij. I vjetri dhe i riu. Kozmopoliti dhe notabli i vjetër. Politikani që di të komunikojë në rrjetet sociale dhe ai që vazhdon të arsyetojë bardh e zi. Edhe për këtë arsye, Edi Rama reagoi ndaj protestës me bezdi. Fillimisht duke e injoruar, siç bënë edhe shumë media. Më pas duke përmendur ndërhyrje të huaja.

Shqiptarët, sipas tij, ishin bërë “mish për top” i një fushate botërore kundër Donald Trumpit. Pastaj tha se ishin viktima të një hakmarrjeje nga Irani, pasi qeveria shqiptare kishte strehuar një grup politik kundër ajatollahëve. Më pas erdhi edhe pista greke: Greqia që, sipas tij, po nxiste revoltën për t’i marrë turistët Shqipërisë.

Kur Financial Times e intervistoi, Rama iu përgjigj protestuesve me fjalë të rënda: “Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u përgjigjem: ‘Shkoni në djall’. Është e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam.”

Deklarata që ish-ministri i Jashtëm i dy qeverive të para Rama, Ditmir Bushati, i komentoi për Il Foglio me shqetësim: “Duhet një reflektim serioz dhe një veprim konkret politik. Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”.

Të Ngjashme