ShowBizzz

DJ Creep, shqiptari që performoj në një skenë me Usher, Destiny’s Child e Justin Timberlake

Në një kohë kur industria muzikore po evoluon me ritme të shpejta, emra si ai i Faton Makollit, i njohur gjërësisht si Dj Creep, dëshmojnë se pasioni, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme janë çelësi i suksesit në skenën vendore dhe ndërkombëtare.

I njohur për energjinë që sjell në çdo performancë, DJ Creep ka ndërtuar një karrierë solide duke u shndërruar në një nga emrat më të kërkuar në evente dhe skena të ndryshme muzikore. Rrugëtimi i tij ka nisur natyrshëm, nga një dashuri e thjeshtë për muzikën, që me kalimin e kohës u shndërrua në një profesion të mirëfilltë. “Në fillim ishte thjesht qejf, por kur pashë reagimin e publikut, kur njerëzit fillojnë me u lidh me setin dhe me e jetu momentin, aty e kuptova që kjo është diçka më e madhe”, shprehet ai.

Karriera e DJ Creep nuk kufizohet vetëm në Kosovë. Ai ka performuar në vende të ndryshme si Gjermania, Zvicra dhe Franca, duke u përballur me publik të larmishëm dhe kultura të ndryshme muzikore. Sipas tij, dallimi kryesor qëndron në mënyrën se si publiku e përjeton muzikën: “Jashtë vendit, kultura muzikore është më e zhvilluar dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt edhe te publiku.”

Stili i tij muzikor ka evoluar ndër vite, duke kaluar nga një fokus i fortë në Hip Hop drejt një kombinimi më të elektrifikuar të tingujve elektronikë me elemente urbane. Kjo përzierje krijon një eksperiencë unike për dëgjuesin dhe një energji që jo vetëm dëgjohet, por edhe ndjehet.

Megjithëse performon në skena ndërkombëtare, ndikimi i kulturës shqiptare mbetet i pranishëm në punën e tij. Ritmet dhe ndjeshmëria ballkanike janë pjesë e identitetit artistik, duke kontribuar në krijimin e një stili autentik që e dallon nga të tjerët.

Ndër momentet më kulmore të karrierës së tij janë performancat në evente me mbi 3000 persona, ku ka ndarë skenën me emra të mëdhenj të muzikës botërore si Usher, Destiny’s Child dhe Justin Timberlake, një dëshmi e nivelit të tij profesional dhe e besimit që industria ka në të.

Për të rinjtë që synojnë të ndjekin të njëjtën rrugë, mesazhi i Dj Creep është i qartë: të fillojnë dhe të mos ndalen. “Duhet me pas besim në vete dhe me punu vazhdimisht. Nuk është rrugë e lehtë, por konsistenca bën diferencën,” thekson ai.

Sa i përket së ardhmes, DJ Creep synon të përmbledhë eksperiencën e tij shumëvjeçare mbi 27 vite në skenë, duke e sjellë atë në projekte të reja, evente dhe bashkëpunime që do të synojnë sidomos brezat e rinj.

Me një vizion të qartë dhe një bagazh të pasur artistik, Faton Makolli vazhdon të mbetet një nga figurat më inspiruese në skenën muzikore shqiptare, duke dëshmuar se muzika është më shumë se tingull, është përjetim.

Të Ngjashme