Demokracia në Veprim, ka bërë të ditur se deri në ora 17:00 janë hasur 25 raste të fotografimit të votës. Një tjetër incident serioz, ata kanë vlerësuar edhe përpjekjet individuale të votuesve që të votojnë në emër të personave të tjerë, kryesisht familjarëve.
Sipas DnV, janë hasur edhe votimi me dokumente të pavlefshme, rreth 1/4 e vendvotimeve në nivel vendi.
Eugen Cakolli tha se në Prishtinë e Pejë, janë evidentuar më së shumti rastet të votuesve që kanë hasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit.
“Në disa zona, sidomos në Prishtinë e Pejë janë evidentuar raste të shumta të votuesve kur kanë hasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit.. Sa i përket votimit me dokumente të pavlefshme vëzhguesit e DNV-së kanë evidentuar raste të dokumenteve me afat të skaduar në rreth 1/4 e vendvotimeve në nivel vendi. Sado që numri i këtyre raste mbetet i kufizuar. Fotografimi i votës vijon të mbetet fatkeqësisht i pranishëm edhe në këto zgjedhje. Deri në ora 17:00 vëzhguesit tanë kanë raportuar rreth 25 raste të fotografimit të votës, që si problematikë është hasur në katër për qind të vendvotimeve”, tha Cakolli.
Nëse deri në ora 19:00 mbetet trendi aktual i pjesëmarrjes, këto zgjedhje mund të shënojnë një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes në zgjedhje parlamentare për gjatë viteve të fundit.
Cakolli u bën thirrje qytetarëve për orën e fundit tu drejtohen kutive të votimit dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Sa i përket incidenteve serioze, rastet më serioze të raportuara gjatë ditës përveç rasteve të fotografimit, ndërlidhen me përpjekje individuale të votuesve që të votojnë në emër të personave të tjerë, kryesisht familjarëve të tyre, që si raste janë adresuar në mënyrë të menjëhershme dhe profesionale nga ana e zyrtarëve policor. Nëse trendi aktual i pjesëmarrjes vazhdon deri në përfundim të procesit zgjedhor, këto zgjedhje mund të jenë zgjedhje që shënojnë një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes në zgjedhje parlamentare për gjatë viteve të fundit. DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë minutat e mbetura për të ushtruar këtë të drejtë”, tha Cakolli.
