Lajme

“Do divorcohej të enjten”/ Detaje tronditëse nga vrasja e 44-vjeçares shqiptare në Greqi, çfarë ndodhi brenda banesës

Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço në zonën e Rodopit në Greqi, ku bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Bujar Meço, dyshohet se e goditi me thikë brenda banesës.

Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, më 26 gusht, në vendbanimin Dialambi. Sipas informacioneve, 44-vjeçarja u godit në qafë, ndërsa në banesë ndodhej edhe vajza e çiftit, 16 vjeçe.

Pas sulmit, djali 19-vjeçar e mori nënën e plagosur dhe e dërgoi me urgjencë në Spitalin e Komotinit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk mundi të mbijetonte.

Në vendngjarje janë sekuestruar dy thika. Ndërkohë, 53-vjeçari dyshohet se tentoi të vetëvritej pas krimit. Ai kishte konsumuar një sasi të panjohur lëngu, që dyshohet se mund të ishte pesticid ose vaj, si dhe kishte shkaktuar plagë sipërfaqësore në bark me thikë. Aktualisht ndodhet në spital, nën mbikëqyrjen e policisë, jashtë rrezikut për jetën.

Esma kishte vendosur të ndahej

Një detaj i rëndësishëm në hetim është bërë publik nga avokatja e viktimës, Evangelia Kola. Sipas saj, Esma kishte marrë vendimin për t’u divorcuar nga bashkëshorti dhe e kishte kontaktuar avokaten vetëm një ditë para vrasjes.

Takimi për të nisur procedurat e divorcit ishte planifikuar për ditën e enjte, por 44-vjeçarja nuk arriti të shkonte.

Avokatja ka deklaruar se Esma kishte përjetuar dhunë në familje prej vitesh dhe kishte raportuar më herët raste të dhunës, përfshirë një episod në Kretë në vitin 2022 dhe një tjetër në Komotini.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që xhelozia dhe vendimi për divorc të kenë qenë ndër shkaqet që çuan në konfliktin fatal.

Esma punonte sezonalisht në Thasos dhe ishte kthyer në Dialambi për të qenë pranë vajzës së saj, e cila festonte 16-vjetorin më 26 gusht. Pikërisht në ditën e ditëlindjes së vajzës, festa familjare u kthye në një tragjedi.

Ndaj 53-vjeçarit vijon procedimi penal për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi minutat para sulmit dhe dinamikën e saktë të krimit.

Të Ngjashme