
5
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se nuk pret që Albin Kurti të ofrojë dorëheqjen.
Sipas saj, për Kurtin, dorëheqja ka kuptim negativ dhe se ai mendon që e dobëson.
Teksa ka bërë një analizë të neneve 26 dhe 29 të Ligjit për Qeverinë, Kica-Xhelili ka thënë se krejt ligji ka kundërthënie në disa pjesë të tekstit.
Postimi i plotë:
“Ligji për Qeverinë, i Qeverisë Kurti, shfaq mrekullisht amaterizmin e po kësaj Qeverie. Një ligj tmerrësisht i shkruar, dhe votuar, nga kjo Qeveri – për vetveten. Amatoresk, konfliktuoz, i paqartë, që më shumë ngatërron se që zgjidh. Fiks si Qeveria Kurti”, ka thënë deputetja e LDK-së.
Çka thotë Ligji për Qeverinë, dhe PSE nuk po dorëhiqet Albin Kurti? Ligji për Qeverinë ka kundërthënie në plot pjesë të tekstit.
Neni 26, në mënyrë specifike kërkon që nëse një anëtarë i kabinetit zgjedhet deputet, duhet të dorëhiqet me certifikim. Neni 29, në anën tjetër, e bën numërimin taksativ (një nga një) të rasteve kur përfundon mandati i i qeverisë.
Çfarë po ndodh këtu?
Në shikim të parë, duket se kemi një konflikt të neneve 26 dhe 29. E para, kërkon aktin e dorëheqjes; E dyta, presupozon përfundim automatik të mandatit qeveritarë kur zgjedhesh deputet (e që nuk ka të bëjë më certifikim, por betim).
Pra, s’kemi kundërthënië vetëm të asaj se a kërkohet akti i dorëheqjes, por dhe momenti kur konsiderohet se përfundon mandati – sepse certifikimi dhe “zgjedhja” nuk janë gjëja e njëjtë.
Neni 29 flet në mënyrë krejtësisht gjenerale për rastet e përfundimit të mandatit qeveritarë, ndërkaq Neni 26 në mënyrë specifike e adreson obligimin e një anëtari të Qeverisë me rastin e zgjedhjes së tij si deputet. Madje ky nen thotë: “duhet të jap dorëheqje”.
Në raste të tilla, zakonisht, kur një nen, apo paragraf i një neni merret në mënyrë më të detajuar e specifik lidhur me një çështje të caktuar, konsiderohet si normë e veçantë dhe ka epërsi ndaj një norme tjetër të përgjithshme. Në rastin konkret, Neni 26 konsideron se nëse një anëtar i qeverisë zgjedhet deputet, ai/ajo duhet të dorëhiqet para certifikimit të rezultateve, përndryshe, kemi të bëjmë më ‘papajtueshmëri’ me funksionin e anëtarit të qeverisë. Por është dhe një parim tjetër, i cili kur adreson kolizionet e neneve, nuk lejon që këto të interpretohen në dëm të atij ndaj të cilit zbatohen. Por, ironia, ata ndaj të cilëve zbatohet janë vet draftuesit.
Kaq dijnë!
Por, pse e ka kaq problem Albin Kurti të dorëhiqet?
Personalisht, nuk kam pritur se ai dorëhiqet. Kryeministri dhe ministrat e tij e përqeshin Kushtetutën – pse do të duhej të prisnim të respektojnë ligjet, akte më të ulëta se Kushtetuta?
Por, Albin Kurti nuk dorëhiqet, edhe sikur ligji të ishte plotësisht i qartë! Ai është shembulli më i mirë i rëndësisë së simbolikave para përmbajtjes. Në sytë e tij, “dorëheqja” si një akt me konotacion negativ, e dobëson. E ai, megjithëse shumë i dobët në performancë qeveritare, e akoma më i dobët (po zbus fjalët) në politikë të jashtme, e ka më të rëndësishme të mos duket i dobët.
Ai nuk e kupton se të biesh ndesh me ligjin e Kushtetutën nuk të bën më të fortë. Të bën – absolutisht – shkelës të demokracisë e sundimit të ligjit, e unë nuk di që ka diçka më të dobët politikisht e moralisht se kjo nevojë për superioritet të rrejshëm.
Albin Kurti nuk e kupton vogëlsinë e kësaj mendësie, se për rrezikshmëri të mendësisë së tillë as s’po flas. Por, ai e di që është i dobët. Sikurse e di saktë se si vogëlsia dhe dobësia e tij u shpërfaq dje sheshit para gjithë botës. Virtualisht!
Duke e ditur këtë, ai po e ushqen në mënyrë fiktive idenë e të fuqishmit, sepse ai e kupton saktë sa i dobët është.
Fundja, 42% është përceptimi ndaj tij, jo realiteti, sepse ajo se si ky 42% e sheh Kurtin nuk ka të bëjë fare me atë se kush është ai. Ai e di këtë shumë mirë! Më mirë se vet 42%-shi qe e ka votuar.