Në kuadër të masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe sigurisë së konsumatorëve, Dogana e Kosovës ka asgjësuar 146,886 copë sprej për higjienën e gojës, të cilat rezultuan të falsifikuara.
Sipas njoftimit, produktet mbanin në mënyrë të paautorizuar markat tregtare Coca-Cola, Fanta dhe Sprite.
Mallrat ishin sekuestruar nga Dogana pas identifikimit të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet kompetente dhe bartësit e të drejtave, si dhe pas përfundimit të procedurave ligjore, gjykata kompetente ka marrë vendim për asgjësimin e tyre.
Autoritetet kanë theksuar se produkte të tilla të falsifikuara, veçanërisht ato që lidhen me higjienën personale, mund të paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve, pasi nuk i nënshtrohen kontrolleve dhe standardeve të sigurisë dhe cilësisë.
Asgjësimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nën mbikëqyrje doganore, me qëllim parandalimin e hedhjes së këtyre produkteve në treg.
Ky veprim, sipas Doganës, dëshmon përkushtimin institucional në luftimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të sigurt dhe të drejtë.
