Dogana e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë një kontrolli rutinë në hyrje, në pikën kufitare Merdare, është ndaluar për verifikim një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj me vendbanim në Kosovë.
Gjatë kontrollit të detajuar të realizuar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara në shumën totale prej 15,915 euro dhe 36,780 dinarë serbë.
Sipas verifikimeve, një pjesë e mjeteve monetare janë gjetur në një çantë beli, konkretisht 15,450 euro dhe 31,650 dinarë serbë, ndërsa pjesa tjetër është gjetur në kuletë, përkatësisht 465 euro dhe 5,130 dinarë serbë.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, është bërë konfiskimi i përkohshëm i 25% të shumës së padeklaruar, që përbën vlerën prej 4,055 euro.
Rasti është trajtuar sipas procedurave ligjore dhe institucionet kompetente janë njoftuar për veprime të mëtejme.
