Publicistja Elida Buçpapaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas intervistës së Ministres së Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, dhënë për Radio Televizionin e Kosovës, duke vlerësuar qasjen e saj të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit të Shqipërisë.
Sipas Buçpapajt, intervista e Gërvallës u ndoq me vëmendje të madhe dhe u mirëprit nga opinioni publik, veçanërisht për kritikat e saj ndaj Edi Rama lidhur me një opinion të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të publikuar në median gjermane FAZ.
Ajo thekson se qëndrimi i hapur i Gërvallës, pa “filtra diplomatikë”, është vlerësuar pozitivisht në Kosovë, sidomos në një kohë kur, sipas saj, çdo bashkëpunim jashtë kornizës së integrimeve evropiane me Serbinë shihet me dyshim, për shkak të qëndrimeve që Beogradi mban ndaj Kosovës.
“Znj. Gërvalla sinqerisht e drejtë për së drejti foli edhe në emrin e qytetarëve të Kosovës që janë kundër aleancave të Edi Ramës me Vuçiqin jashtë integrimeve e konteksteve të BE-së, kur Serbia mban qendrime kërcënuese dhe agresive ndaj Kosovës. Duke u shprehur publikisht, troç e në mënyrë të hapur se opinioni i përbashkët me Vuçiqin tek FAZ nuk pranohet nga shqiptarët e Kosovës, kjo duhet ta bëjë Edi Ramën të mendohet dy herë, të përdorë frenat dhe të mësojë gjeografinë fizike sikur ia vuri në dukje znj.Gërvalla se rruga për në Serbi kalon nga Kosova, ku transparenca midis dy qeverive e dy shteteve dhe një kombi janë obliguese”, shkruan Buçpapaj.
Tutje, ajo kritikon edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për mungesë transparence lidhur me deklaratat e bëra nga Rama gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 16 shkurt.
Sipas Buçpapajt, fakti që Osmani nuk ka dhënë sqarime publike mbi këto zhvillime ka krijuar, siç shprehet ajo, një “boshllëk komunikimi” me qytetarët, duke nxitur mosbesim.
Ajo shton se raporti i perceptuar i afërt mes Osmanit dhe Ramës, i reflektuar edhe në zhvillime të mëvonshme politike, është parë me skepticizëm nga një pjesë e opinionit publik në Kosovë.
Shkrimi i plotë:
U ndoq me shumë vemendje intervista e Ministres së Drejtësisë të qeverisë së Republikës së Kosovës znj.Donika Gërvalla dhënë kanalit televiziv publik të Kosovës RTK
dhe u mirëprit veçanërisht kritika e saj e për së drejtë pm së Shqipërisë në lidhje me opinionin e përbashkët të Edi Ramës me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq tek e përditshmja gjermane FAZ.
Opinioni publik e mirëpriti qendrimin dhe komunikimin e hapur të znj.Gërvalla pa filtrat e kurtuazisë diplomatike që nuk kanë sens në marrëdhëniet midis Kosovës dhe shtetit amë,
sidomos kur Edi Rama nuk njeh asnjë kufi për çështje të interesit kombëtar,
dhe justifikon e përdor çdo lloj mjeti
kur është fjala për të llogaritur zgjatjen e pushtetit të tij.
Znj. Gërvalla sinqerisht e drejtë për së drejti foli edhe në emrin e qytetarëve të Kosovës që janë kundër aleancave të Edi Ramës me Vuçiqin jashtë integrimeve e konteksteve të BE-së,
kur Serbia mban qendrime kërcënuese dhe agresive ndaj Kosovës.
Duke u shprehur publikisht, troç e në mënyrë të hapur se opinioni i përbashkët me Vuçiqin tek FAZ nuk pranohet nga shqiptarët e Kosovës,
kjo duhet ta bëjë Edi Ramën të mendohet dy herë, të përdorë frenat dhe të mësojë gjeografinë fizike sikur ia vuri në dukje znj.Gërvalla se rruga për në Serbi kalon nga Kosova,
ku transparenca midis dy qeverive e dy shteteve dhe një kombi janë obliguese.
*****
Ndryshe nga Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla,
Presidentja e Republikës së Kosovës ka mbajtur qendrime aspak transparente në lidhje me deklaratat që dha Edi Rama në 16 shkurt,
kur nga Prishtina e mori Vjosa Osmani në mbrojtje nga Gjykata Speciale.
Deri sa Presidentja e Kosovës nuk ka dhënë asnjë sqarim,
konfesioni i Vjosës Edi Ramës për Gjykatën Speciale,
kanë krijuar një binom mirëbesimi midis tyre që e pamë të shpërfaqet edhe tek Bordi i Paqes.
Por boshllëku i komunikimit dhe moskomunikim i saj me opinionin publik prodhon burim mosbesimi me qytetarët e Kosovës,
të cilët janë ndjerë të zhgënjyer nga fakti se Vjosa i rrëfehet Edi Ramës, kur ai nuk është as kishë dhe as xhami ku ajo të fatet, duke i shmangur dhe anashkaluar ata.
