Bota

Dorë për dore me Carla Bruni-n, Sarkozy i drejtohet burgut

I kapur dorë për dore me partneren e tij, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy doli nga shtëpia e tij mëngjesin e sotëm për t’iu drejtuar burgut, nën brohoritjet e turmës që e priste jashtë. Ish-presidenti francez përshëndeti mbështetësit përpara se të hipte në makinë dhe të nisej për në burgun La Santé.

Pak para tij, tre djemtë e Sarkozy, Jean, Pierre dhe Louis, dolën gjithashtu nga shtëpia, mes duartrokitjeve, ndërsa njerëzit kënduan edhe himnin kombëtar francez, La Marseillaise. Sarkozy shprehu mendimet e tij për popullin francez në një letër publike që e postoi në llogarinë e tij X të martën në mëngjes. Sarkozy thekson se ai nuk po kërkon asnjë avantazh dhe asnjë favor, por kërkoi që zëri i tij të dëgjohet.

Ai tha se po përballet me këtë provë “me forcën e padiskutueshme” që e karakterizon: “Nuk është një ish-President i Republikës që po burgoset këtë mëngjes, është një njeri i pafajshëm. Ndjej trishtim të thellë për Francën, e cila është poshtëruar nga shprehja e një hakmarrjeje që ka arritur nivele të papara urrejtjeje. Nuk kam asnjë dyshim. E vërteta do të triumfojë. Por çmimi që do të paguhet do të jetë i madh…”



/tiranapost