Lajme

Dorëheqje me prapavijë? Publicisti zbulon ‘lojën’ e Ramush Haradinajt – ky është parashikimi i tij

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie. Derisa, Haradinaj bëri të ditur se, kanë shpallur zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet.

“I kam treguar kolegvë të mi disa arsye. Është kohë e gjatë në udhëheqje, është një faktor dhe rezultati jo i mirë i zgjedhjeve por edhe sikur të ishte ndonjë rezultat tjetër prap do të merrsha këtë vendim”.

E në lidhje me dorëheqjen e papritur të Haradinajt, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca.

Si fillim, ai nuk beson se dorëheqja ka ardhur si shkak i rezultateve në zgjedhjet e fundit.

Sipas tij, kjo është vetëm lëvizje taktike dhe ka një qëllim prapa saj.

“Nuk mund të besohet se Haradinaj është tërhequr për shkak të dështimit në zgjedhjet e fundit. Një reagim i tillë do të duhej të ndodhte natën kur u mor vesh rezultati i zgjedhjeve.

Haradinaj është tepër ambicioz dhe moskandidimi i tij ka vetëm një synim, një shpjegim dhe vetëm një qëllim. Ai largohet tani nga drejtimi formal i partisë dhe këtë lëvizje dëshiron ta paraqesë si reflektim dhe pranim përgjegjësie për rezultatin e partisë, të cilën e ka konsideruar klanin e vet”.

Për këtë, Bukuroca vlerëson se Haradinaj mund ta synojë postin e presidentit, ndonëse tha se, kjo gjë nuk do ndodhë.

“Ramush Haradinaj është larguar, ose po e braktis formalisht kryesinë, por partia është e tij dhe do të mbetet e tillë, sepse ai synon të bëhet kryetar i shtetit.

Mirëpo ajo kohë kur me shtetin qeverisnin njerëz gjysmë të dijshëm ka marrë fund. Sot kemi dy intelektualë në krye të shtetit dhe kjo cilësi po shihet e po ndihet. As Ramushi e as kolegët e tij nuk do të kenë më kurrë shans ta shndërrojnë shtetin përsëri në klan korrupsioni dhe pasurimi vetjak”, shtjelloi ai.

Më tej, publicisti vlerëson se kreu i AAK ka ambice të reja, nuk është lodhur.

Megjithatë, konsideron se partia e tij dhe partia e Hashim Thaçit, nuk do reformohen kurrë, e këtë e shtjelloi më tej.

“Ramushi nuk është lodhur. Ai ka vetëm ambicie të reja. Partia e tij, ashtu si edhe ajo e Thaçit, nuk mund të reformohen kurrë, sepse ato janë ndërtuar mbi baza korrupsioni. Askush brenda AAK-së e PDK-së nuk guxon të kërkojë shtet ligjor, sepse kjo do të nënkuptonte hetimin e paraardhësve të tyre. E as LDK nuk e bën. Kur kjo e fundit të kërkojë hetime për tre përqindëshin, atëherë është shkëputur nga Isa Mustafa”, nënvizoi Bukuroca.

Ndër të tjera, si theksoi që kjo është një strategji e qartë nga Haradinaj, ndonëse e paralajmëroi këtë të fundit se, Kurti e Osmani do merren me ndërtimin e shtetit tonë.

“Shkurt dhe qartë: tërheqja e Haradinajt është strategji. Nëse ai thotë se nuk do të kandidojë për kryetar, kjo mund të konsiderohet si pjekuri dhe vendim i drejtë.

Për kontributin gjatë luftës, populli e ka shpërblyer me pozita dhe me pension invalidor prej 2 700 eurosh në muaj…

Elita e re intelektuale do të merret me ndërtimin e shtetit. Albin Kurti e Vjosja Osmani”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Të Ngjashme