Lajme

“Drejtësi, jo politikë”, gjithçka gati për marshin qytetar të 17 shkurtit

Platforma qytetare “Liria ka Emër”, përmes përfaqësuesve të saj Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, mbajti sot konferencën e fundit për media para marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës.

Eliza Hoxha theksoi se pas dy ditësh, sheshi i kryeqytetit “nuk do të jetë thjesht një hapësirë publike, por zemra e Kosovës që rreh njëzëri”, duke e cilësuar marshin si dëshmi të unitetit qytetar në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe respektit ndaj historisë së vendit.

Ajo bëri të ditur se mobilizimi qytetar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe gjithëpërfshirës. “Kemi marrë mbështetje nga të gjitha komunat e vendit. Nga çdo cep i Kosovës kanë ardhur mesazhe përkrahjeje, konfirmime pjesëmarrjeje dhe angazhim konkret për organizimin e transportit dhe mobilizimin lokal”, deklaroi Hoxha.

Sipas saj, marshit i janë bashkuar sindikata, profesionistë të lirë, mësimdhënës, mjekë, artistë, sportistë dhe përfaqësues të bashkësive fetare, duke dëshmuar se kjo nismë është përtej ndasive politike. “Kjo nuk është çështje partie. Nuk është çështje pushteti. Është çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar”, theksoi ajo.

Platforma njoftoi se ka konfirmime pjesëmarrjeje edhe nga shqiptarë të rajonit dhe nga diaspora në Evropë. Po ashtu, dhjetëra familje kosovare kanë konfirmuar pjesëmarrjen familjarisht, me fëmijë, prindër dhe gjyshër.

Eliza Hoxha theksoi se ky marsh tashmë nuk i përket një platforme apo disa individëve, por i përket popullit. “Ne presim mbi 200 mijë qytetarë dhe synojmë që ky të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë. Por madhështia e tij do të matet me qetësinë, disiplinën dhe seriozitetin e mesazhit që do të përcjellim”, tha ajo, duke shtuar se qytetarët do të dalin për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Në vijim të konferencës, Ismail Tasholli prezantoi detajet organizative të marshit. Ai bëri të ditur se marshi do të ketë pesë folës nga kategori të ndryshme të shoqërisë, të cilët do të përcjellin mesazhe qytetare, pa përfshirje partiake.

“E ripërsëris edhe sot: asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar”, theksoi Tasholli.

Programi do të përfshijë edhe performancë artistike nga Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, ndërsa do të realizohet një aksion simbolik tek monumenti NEWBORN, si moment reflektimi për lindjen e shtetit të Kosovës dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e së vërtetës së tij.

Në aspektin e sigurisë dhe organizimit, platforma konfirmoi se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme, në koordinim me Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, njësitet emergjente shëndetësore, stacionet e autobusëve dhe strukturat përgjegjëse për parkingjet. Organizimi teknik i binës, videomaterialeve dhe sistemit të zërimit është planifikuar me kujdes për të garantuar një tubim të sigurt dhe dinjitoz.

“Ky do të jetë një marsh paqësor dhe i organizuar, që do të tregojë pjekurinë qytetare të Kosovës,” u tha në konferencë.

Në përmbyllje, përfaqësuesit e platformës rikujtuan se 17 shkurti është jo vetëm datë e shpalljes së pavarësisë, por edhe simbol i përgjegjësisë për të mbrojtur lirinë dhe të vërtetën.

“Kur një popull ngrihet në mënyrë paqësore për të kërkuar drejtësi, ai nuk e dobëson shtetin e tij – ai e forcon atë. Kur qytetarët bashkohen pa dallime, ata krijojnë vetëdije”, theksoi Tasholli.

Platforma “Liria ka Emër” u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 17 shkurt të dalin në shesh me familjet e tyre, në një marsh të qetë, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.

“Gjithçka është gati. Faleminderit për mbështetjen masive, përfshirë edhe mediat që kanë ndjekur dhe përcjellë këtë mobilizim qytetar! Shihemi më 17 shkurt.”

Të Ngjashme