Lajme

Drejtësia lokale sfidohet: Largimet e shqiptarëve bien ndesh me Kushtetutën

Në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht nga komuniteti serb, kryetarët e rinj nga Lista Serbe kanë rimarrë pushtetin pas zgjedhjeve lokale.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të rishikojë dhe, në disa raste, të anulojë vendimet e kryetarëve shqiptarë të mëparshëm, si dhe kërkon qasje në dokumentet e komunave.

Nga puna janë larguar tashmë tre zyrtarë shqiptarë, kështu duke shtuar shqetësimet për menaxhimin e institucioneve lokale dhe bashkëpunimin ndër-etnik në veri të Kosovës.

Vendimet e fundit të Listës Serbe janë parë si një përpjekje për të forcuar kontrollin e tyre mbi administratën lokale dhe për të rivendosur ndikimin në vendimmarrjen komunale.

Lushaj: Veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin mes komuniteteve

Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se largimet nga puna bazuar në etni ose kolektivisht shkelin barazinë dhe drejtësinë, dëmtojnë besimin mes komuniteteve dhe stabilitetin lokal. 

Ai propozon respektimin e ligjit, vlerësimin profesional dhe ndërtimin e institucioneve funksionale për marrëdhënie të qëndrueshme në veri. 

Image
Adem Lushaj

“Largimet e tanishme nga puna, nëse bëhen mbi baza kolektive apo etnike dhe jo mbi procedura individuale e ligjore, përbëjnë shkelje të parimeve të barazisë dhe të së drejtës në punë. Veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin mes komuniteteve dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin lokal.

Zgjidhja qëndron në respektimin e ligjit, vlerësimin profesional të secilit të punësuar, dhe ndërtimin e institucioneve funksionale që u shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie. Vetëm një qasje e tillë mund të kontribuojë në marrëdhënie të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në veri”, deklaroi ai.

Rexhepi: Kjo është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Brukselit

Analisti Agim Rexhepi, thotë se veprimet e Listës Serbe për largimin e shqiptarëve nga puna në veri të Kosovës shkelin Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke cenuar barazinë, karakterin multietnik dhe ndalimin e diskriminimit mbi baza etnike.

“Veprimet e Listës Serbe për largimin e shqiptarëve nga puna në veri të Kosovës përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, si dhe të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në rrafshin kushtetues, neni 3 dhe neni 7 i Kushtetutës së Kosovës garantojnë barazinë para ligjit dhe karakterin multietnik të shtetit, ndërsa neni 24 ndalon qartazi çdo formë diskriminimi mbi baza etnike. Largimi nga puna për shkak të përkatësisë etnike përbën shkelje serioze të këtyre parimeve themelore”, u shpreh ai për gazetën.

Sipas tij, Ligji i Punës dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi ndalojnë diskriminimin në punë dhe çdo largim etnik është i kundërligjshëm, duket shtuar veprimet e tilla bien gjithashtu ndesh me standardet ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Brukselit, duke përdorur punësimin si mjet presioni politik dhe duke rrezikuar integrimin institucional.

Image
Agim Rexhepi

“Nga aspekti i legjislacionit të punës, Ligji i Punës (Ligji Nr. 03/L-212) dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi (Ligji Nr. 05/L-021) ndalojnë shprehimisht diskriminimin në marrëdhëniet e punës dhe parashehin përgjegjësi ligjore për institucionet apo subjektet që zbatojnë praktika përjashtuese. Çdo vendim i tillë është i kundërligjshëm dhe i kontestueshëm në gjykata.

Në planin ndërkombëtar, këto veprime bien ndesh me:

Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 14 dhe Protokolli 12),

Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (nenet 2 dhe 26), si dhe me Kornizën për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës, të cilat Kosova i zbaton përmes rendit të saj kushtetues.

Politikisht, ky veprim përfaqëson një instrumentalizim të punësimit për qëllime politike, duke u përdorur si mjet presioni pas shuarjes së strukturave paralele. Kjo është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Brukselit, e cila parasheh integrim institucional, jo përjashtim etnik dhe destabilizim të qëllimshëm”, thotë ai.

Në fund, Rexhepi thekson se Lista Serbe po pengon normalizimin dhe integrimin e veriut, ndërsa institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë të drejtat e punësimit pa diskriminim etnik.

“Në vend që të kontribuojë në stabilitet dhe bashkëjetesë, Lista Serbe po vepron si zgjatim i agjendës politike të Beogradit, duke cenuar procesin e normalizimit dhe duke minuar përpjekjet për integrim të veriut në sistemin kushtetues të Kosovës.

Në këtë kontekst, përgjegjësia e institucioneve të Kosovës është e qartë: të garantojnë zbatimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punësimit për të gjithë qytetarët pa dallim, dhe të reagojnë ndaj çdo forme diskriminimi etnik, në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe obligimet ndërkombëtare” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme