Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka realizuar së fundmi një vizitë të veçantë në Pejë, ku ka marrë pjesë në një nga ngjarjet familjare.
Siç merr vesh Telegrafi, interpretuesja e hitit “New Rules” ka qenë e pranishme në dasmën e djalit të hallës së saj, Andit, i cili i ka dhënë fund beqarisë.
Dua, e cila rrallë herë viziton Kosovën pa ndonjë angazhim publik, këtë herë është rikthyer në vendlindjen e familjes së saj për një arsye krejtësisht familjare.
Familja e artistes me famë ndërkombëtare ka origjinë nga Peja, ndërsa një pjesë e familjarëve të saj vazhdojnë të jetojnë në këtë qytet.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë fotografi nga dasma, ku Dua Lipa shihet e veshur në mënyrë elegante, teksa shijon atmosferën festive së bashku me familjarët dhe të ftuarit.
Vizita e saj në Pejë vjen kështu në një moment të veçantë për familjen, ndërsa prania e artistes së njohur duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e të pranishmëve në ceremoninë martesore.
