Tifogrupi besnik i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” feston ditën e sotme 20-vjetorin e krijimin. Plot dy dekada kushtuar me gjak e me shpirt ngjyrave kuqezi, fanellës së Kombëtares, flamurit dhe Kombit shqiptar.
Një urim i veçantë për ta në këtë ditë vjen dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Armand Duka falenderon tifogupin për mbështetjen që djemtë e tij u japin lojtarëve dhe i quan, ashtu siç ata janë, “Lojtari i 12-të i Kombëtares”.
“Nuk kanë munguar kurrë në apel. Kanë qenë gjithmonë aty. Në të mirë e në të keq, në shtëpi apo në transfertë, Tifozat Kuq e Zi kanë mbështetur pa asnjë kursim Kombëtaren shqiptare. Ata pa u lodhur, kanë frymëzuar e motivuar djemtë e skuadrës tonë të zemrës pa pushim”, shkruan Duka ndër rreshta.
Mesazhi i plotë i presidentit të FSHF, Armand Duka:
Ky fundviti, përveçse kulmoi me kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare për në finalet Euro 2024, sjell edhe një tjetër moment të rëndësishëm. Grupimi “Tifozat Kuq e Zi” feston 20-vjetorin e themelimit. Bëhet fjalë për ata që janë prej dy dekadash, lojtari i 12-të i Kombëtares.
Nuk kanë munguar kurrë në apel. Kanë qenë gjithmonë aty. Në të mirë e në të keq, në shtëpi apo në transfertë, Tifozat Kuq e Zi kanë mbështetur pa asnjë kursim Kombëtaren shqiptare. Ata pa u lodhur, kanë frymëzuar e motivuar djemtë e skuadrës tonë të zemrës pa pushim.
Janë kthyer në një simbol e mbështetje e madhe për Kombëtaren, duke u bërë një pjesë e pandashme e saj dhe e pazëvendësueshme e saj. Na kanë bërë krenarë çdo herë dhe në çdo ndeshje, duke qenë një burim force për ekipin, por edhe për të gjithë të tjerët.
Në këtë përvjetor të veçantë, i uroj TKZ-së edhe 100 vite të tjera në këtë mision kaq të bukur dhe të pazëvendësueshëm. Uroj të vazhdojnë ta mbështesin Kombëtaren edhe më shumë në të ardhmen, duke valëvitur gjithmonë lart flamurin shqiptar në çdo stadium të botës dhe duke kënduar “O sa mirë me qenë shqiptar”. Gëzuar përvjetorin. Faleminderit!
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo