Lajme

DW: Faza përfundimtare në procesin e Hagës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë fillon faza përfundimtare e procesit kundër ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi përballen në Hagë me akuza të rënda.

Ata akuzohen për krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Por Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe pohojnë se janë të pafajshëm.

Image
Hashim Thaçi

Gjykata e themeluar nga Kosova

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë bërë këto krime midis muajit mars të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Gykata Speciale është themeluar nga Parlamenti i Kosovës pas akuzave të tmerrshme për trafikim të organeve njerëzore, që ka paraqitur senatori zviceran Dik Marty në raportin e tij në Këshilin e Evropës në vitin 2011. Por në aktakuzë nuk ka asgjë nga këto akuza.

Aktakuza thotë se të arrestuarit, akuzohen për krime lufte dhe vepra të tjera. Aktakuza është konfirmuar në tetor të vitit 2020. Ndërsa të akuzuarit janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Thaçi ka shkuar atje nga posti i Presidentit. Edhe të tjerët kanë qenë në poste politike.

Dëshmitë dhe dëshmitarët

Prokuroria ka nxjerrë para gjykatësve provat e saja si dhe 125 dëshmitarë. Ndërsa dëshmitë e 117 dëshmitarëve janë dorëzuar me shkrim.

Image
Veseli dhe Krasniqi

Nga ana tjetër edhe mbrojtja ka nxjerrë dëshmitë e saja dhe shumë dëshmitarë të njohur, ndër të cilët edhe gjenerali Welsey Clark,James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushët të ish-sekretares Allbight, pastaj diplomati Christopher Hill dhe të tjerë.

Ata thanë se të akuzuarit nuk janë fajtorë për krime lufte, nuk janë terroristë dhe se UÇK nuk ka funksionuar si një organizatë me komandë të qartë.

Nga 9 shkurt deri më 12 shkurt palët do të paraqesin tani fjalët përfundimtare.  Fillimisht do ta ketë fjalën prokuroria, pastaj ekipet e mbrojtësve të viktimave, e më pas nga data 11 shkurt do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse dhe e të pandehurve.

Më pas trupi gjykues do të ketë tre muaj kohë për të marrë vendimin, që do të thotë se vendimi pritet diku nga pjesa e dytë e majit.

Të Ngjashme