Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë vizitës janë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet ministrive përkatëse, të cilat synojnë forcimin e koordinimit institucional, avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor, si dhe rritjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit.
Në komunikatë thuhet se marrëveshjet parashohin gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve përmes politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, një fokus i veçantë i bashkëpunimit do të jetë modernizimi i sektorit përmes digjitalizimit të shërbimeve bujqësore, forcimi i kapaciteteve në kërkimin shkencor, inovacion dhe transferimin e teknologjive bashkëkohore, me synim rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit.
Sipas ministrisë, ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të dy vendet.
