Shëndetësi

Dy net pa gjumë të mirë të bëjnë të ndihesh disa vite më i moshuar

Sipas studiuesve, dy net me mungesë gjumi janë të mjaftueshme për ta bërë një person të ndihet disa vite më i vjetër. Ata theksojnë se gjumi i qetë dhe i rregullt është një faktor kyç për të mos ndier peshën e vërtetë të moshës.

Psikologët në Suedi zbuluan se, mesatarisht, pjesëmarrësit që flinin vetëm katër orë për dy net radhazi ndiheshin më shumë se katër vite më të vjetër, me disa që deklaruan se ndiheshin dekada më të vjetër për shkak të përgjumjes.

E kundërta ndodhte kur njerëzit qëndronin në shtrat për nëntë orë gjatë natës. Ata ndiheshin mesatarisht tre muaj më të rinj sesa mosha e tyre reale, megjithëse efekti ishte më i vogël.

“Gjumi ndikon shumë në mënyrën se si e ndien veten dhe kjo nuk vlen vetëm për zakonet afatgjata të gjumit,” tha dr. Leonie Balter, psikonuroimunologe në Institutin Karolinska në Stokholm. “Edhe vetëm dy net me gjumë jo të mirë kanë ndikim real në perceptimin për veten.”

Përtej ndjesisë së plakjes, Balter tha se kjo mund të ndikojë në shëndetin mendor dhe fizik, pasi ndjenja e plakjes mund të nxisë zakone të pashëndetshme si ngrënia e tepruar, ulja e aktivitetit fizik dhe shmangia e shoqërimit me të tjerët.

Dy studime zbuluan lidhje të forta midis gjumit dhe perceptimit të moshës: Në studimin e parë, 429 persona nga 18 deri në 70 vjeç raportuan se si ndiheshin dhe sa net gjumi të keq kishin pësuar muajin e fundit. Çdo natë e keqe gjumi i bënte njerëzit të ndiheshin mesatarisht tre muaj më të vjetër, ndërsa ata që kishin fjetur mirë gjatë muajit ndiheshin gati gjashtë vite më të rinj.

Në studimin e dytë, 186 persona nga 18 deri në 46 vjeç u pyetën pas dy netëve me nëntë orë gjumë dhe dy netëve me vetëm katër orë. Pas gjumit të kufizuar, ata ndiheshin mesatarisht 4.44 vite më të vjetër.

Personat që zgjoheshin dhe shkonin në shtrat herët (“tipa mëngjesi”) ishin më të ndikuar nga mungesa e gjumit krahasuar me ata që kishin zakon të qëndronin zgjuar deri vonë (“tipa darke”). Por, të fundit ndiheshin më të vjetër në përgjithësi, edhe pas gjumit të mirë.

Dr. Balter tha se këto rezultate mund të shërbejnë për qëllime praktike: “Nëse mund të bëjmë që njerëzit të ndihen më të rinj, kjo mund të sjellë përfitime si rritja e dëshirës për përvoja të reja, aktivitet fizik dhe shoqëror.”

Një tjetër studim dhjetëvjeçar me mbi 4000 europianë zbuloi se ata që ushtronin dy deri në tri herë në javë kishin shumë më pak gjasa të kishin probleme me pagjumësinë sesa njerëzit joaktivë. Aktiviteti fizik i rregullt përmirësonte kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit.

Ata që ushtronin të paktën një orë në javë kishin 42% më pak gjasa për të pasur vështirësi në fjetje dhe 55% më shumë gjasa për të pasur gjumë të shëndetshëm çdo natë.

Dr. Iuliana Hartescu nga Universiteti i Loughborough theksoi: “Gjumi është një nga sjelljet e pakta që mund të modifikohet dhe ka efekt të menjëhershëm në shëndet. Ndryshe nga dieta apo mungesa e aktivitetit fizik, ndikimi i një nate të keqe gjumi ndihet menjëherë.”

Pra, nëse doni të ndiheni më të rinj, flini mirë dhe lëvizni rregullisht, recetë e thjeshtë, por me ndikim të fuqishëm. / The Guardian – Syri.net

Të Ngjashme