Lajme

Dy shoferë në gjendje të rëndë nga vetaksidentet në autostrada

Dy vetaksidente trafiku kanë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, me ç’rast dy persona kanë marrë lëndime serioze.

Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 21:15 në autostradën “Arben Xhaferi”, saktësisht në Babush-Lipjan, ku vozitësja e veturës ka marrë lëndime serioze.

“Sonte rreth ores 21:15 në autostraden ”Arben Xhaferi” saktesisht në Babush-Lipjan në kilometrin e 11-të është shkaktuar një aksident trafiku (vetëaksident) ku është i përfshirë një automjet. Sipas informatave të para shoferja e automjetit ka marr lëndime serioze. Në lokacionin e aksidentit kanë dale njësitet policore për kontrollë në autostrada, autoambulanca dhe zjarrfikësit. Hetimet lidhur me shkaktarët e këtij rasti janë po vazhdojnë”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.

Ndërsa, vetëm 30 minuta më vonë policia ka pranuar edhe një informatë tjetër se një vetaksident tjetër është shkaktuar edhe në rajonin e Mitrovicës Jugore.

Hoxha tha se shoferi i automjetit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e lëndimeve të marra.

“Duke vlerësuar këtë situatë dhe këto raste që shpesh po përfundojnë edhe me humbje të jetëve njerëzore, sipas analizave statistikore që tani më që i kemi potencuar dhe publikuar disa here, vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti, 70 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor dhe rreth 55% prej tyre janë shoferë”, ka deklaruar ai.