Bota

Dy të arrestuarit për grabitjen e Luvrit pranojnë përfshirjen në vjedhjen e bujshme

Dy javë pas grabitjes spektakolare në muzeun e Luvrit, autoritetet franceze kanë konfirmuar se dy të arrestuarit kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në ngjarje.

Sipas burimeve hetimore, të dyshuarit ishin pjesë e grupit që depërtoi në Galerinë Apollon, ku ndodhen xhevahiret e kurorës franceze, ndër veprat më të çmuara të muzeut. Vlera e bizhuterive të vjedhura arrin në 88 milionë euro, ndërsa ngjarja ndodhi më 19 tetor, në mes të ditës, kur katër persona të armatosur me mjete elektrike hynë në ndërtesë dhe neutralizuan sistemet e sigurisë.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, bëri të ditur se shumica e sendeve të vjedhura nuk janë gjetur ende, dhe se banda mund të jetë më e madhe se sa mendohej fillimisht, duke përfshirë edhe bashkëpunëtorë jashtë Francës.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet po përpiqen të gjurmojnë rrjetin pas grabitjes dhe të rikthejnë thesaret e humbura, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore franceze.

/tiranapost

Të Ngjashme