Lajme

Dyshime për keqpërdorime për anulimin e konkursit për rreshter, nga IPK thonë se hetimi po vazhdon

Nën dyshimin se kishte keqpërdorime në testin për gradimin me gradën rreshter, Inspektorati Policor i Kosovës doli me rekomandim për anulimin e tij.

Një vendim të tillë e mori Policia e Kosovës, ku Drejtori i Përgjithshëm anuloi gjithë këtë proces.

Por gjatë këtij procesi, shoqëria civile po pretendon se ka pasur keqpërdorime dhe tejkalim të kompetencave nga ana e IPK-së.

Lorik Krasniqi nga AVONET thotë se përkundër që kanë bërë kërkesë për qasje në dokumente publike, janë refuzuar nga ky institucion.

“IPK përmes vendimit refuzues ka refuzuar qasjen e AVONET-it në këto dokumente. Kjo veçse na ka rritur neve dyshimin që në këtë raport ka pasur disa keqpërdorime, arsyetimi i vendimit refuzues ka qenë që ky hetim është akoma aktiv përkundrazi duke ditur që me Ligjin për IPK-në një inspektim përfundon momentin kur përgatitet raporti përfundimtar dhe nënshkruhet nga kryeshefi ekzekutiv”, ka thënë ai.

Por, autoriteti mbikëqyrës i Policisë në një përgjigje për tëvë1, kanë dhënë arsyet se pse kanë refuzuar këtë kërkesë.

“Pas përgjigjes negative që AVONET ka pranuar nga Policia e Kosovës për pjesën tjetër të dokumenteve, kërkesa  është përsëritur në IPK me 01.08.2024. Pas pranimit të kërkesës së dytë, IPK e ka njoftuar AVONET-in se në kuadër të këtij  procesi ka pranuar 13 ankesa  dhe informacione të ndryshme që ndërlidhen me këtë proces  të gradimit. Për të njëjtat janë  duke u ndërmarrë veprime hetimore e të cilat veprime përfshijnë edhe dosjen e inspektimit për të cilën është kërkuar qasje  andaj për shkak të integritetit të procesit hetimor është refuzuar kërkesa për qasje në dokumente publike”, thuhet nga IPK për Tëvë1

E ish-kryeshefi i këtij institucioni po kërkon më shumë transparencë, mirëpo tregon se kur nuk mund të ipen qasje në dokumente të tilla.

“Në qoftë se një raport paraqet një diçka, një material i cili do ta rrezikonte një individ të caktuar, do ta komprometojë sigurinë kombëtare ose do të ndikojë negativisht në hetime, ai ka disa moment kur udhëheqësia e IPK-së mund ta prolongon, mund të mos e publikojë, mund të jap sqarime, etj. Por nëse këto nuk ekzistojnë, asnjë gjë nuk mund ta ndalojë  një raport ose një segment tjetër për me u publiku ose me iu jap juve edhe fizikisht në dorë”, thotë Fitim Shishani

Për këtë veprim të IPK-së, nga shoqëria civile u tha se do të përgatisin edhe ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi por edhe organet tjera kompetente.